JA SI U ARRIT DIALOGU PS-PD/ Deklasifikohen debatet me dyer të mbyllura mes palëve për komisionet hetimore dhe reformat
Janë zbardhur detajet e mbledhjes së parë të konferencës së kryetarëve ku mori pjesë edhe opozita pas 5 muajsh aksion në parlament. Në mbledhjen e 12 marsit palët kanë dhënë idenë e tyre se si do të jenë komisionet hetimore dhe grupi i dialogut që do të shqyrtojë ligjet që kërkojnë 84 vota.
Janë zbardhur debatet mes partive politike gjatë muajit mars ku u vendos që të ngriheshin dy komisione hetimore dhe grupi i dialogut që do të diskutonte reformat dhe ligjet që kërkojnë 84 vota.
Data 12 mars do të shënonte rikthimin e parë të opozitës në Konferencën e kryetarëve pas 5 muajsh protestë e revoltë në Kuvend.
Për komisionet hetimore dhe objektin e tyre duket se palët e kanë pasur më të thjeshtë dakordësinë në Konferencën e Kryetarëve.
Gazment Bardhi në mbledhjen e 12 marsit propozoi komisionin hetimor për ndërhyrjen në TIMS dhe dy koncensione në shëndetësi, ndërsa kryetarja e Kuvendit u dha 24 orë kohë Bardhit dhe Klotilda Bushkës për të dakordësuar objektin.
Në atë mbledhje Bardhi ka propozuar i pari një grup dialogu mes mazhorancës dhe opozitës.
Gazment Bardhi: "Besoj se ka ardhur momenti, edhe për shkak se Shqipëria pret hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE, që të konsolidohet një organ i përhershëm i shqyrtimit të reformave që kërkojnë gjithë-përfshirje dhe konsensus mes mazhorancës dhe opozitës".
Debatet kanë lindur tek reforma zgjedhore dhe tek komision bipartizan.
Bardhi propozonte që të ishte ky grupim dialogu që të diskutonte edhe reformën zgjedhore dhe komisionit bipartizan Gjiknuri-Alibeajt të mos i zgjatej mandati më.
Por Bledi Çuçi nga PS këmbëngulte se komisioni duhet të vazhdonte punën.
Bledi Çuçi: "Gjëja që dua t’jua them shumë qartë juve dhe publikut, është se ne i qëndrojmë asaj zgjedhjeje që kemi bërë, që komisioni bipartizan ta vazhdojë jetën e tij ashtu siç është, duke qenë të bindur që të gjitha flukset opozitare janë të përfaqësuara në komision".
Nuk dihet se çfarë ndodhi pas kësaj mbledhje por Çuçi nuk insistoj më në zgjatjen e mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, dhe partia socialiste pranoj propozimin e bardhit që kjo reformë të jetë në dorën e grupit të dialogut.
Gjatë mbledhjes së datës 12 mars Mesila Doda kishte kërkuar që grupi të mos jetë vetëm mes PD dhe PS, por të bëhej një format ku edhe ajo të ishte pjesë.
Mesila Doda: "T’u kërkoja të dy kolegëve që ta shohin mundësinë e ndryshimit të formatit të kësaj, që të kemi mundësinë të jemi pjesë".
Më e habitura në atë mbledhje duket se ishte përfaqësuesja e Lulzim Bashës në Konferencën e Kryetarëve, Flutura Açka, e cila pasi dëgjoj palët që ranë në dakordësi për shumë pika, ndërhyri duke ironizuar.
Flutura Açka: “Për një moment m’u duk sikur më zuri sheqeri nga e gjithë kjo mirësi e madhe që po na jep mazhoranca, por më vjen mirë që kemi ardhur në këtë gjë”.
Mbledhja e datës 12 mars u shty për datën 13 ku do të miratoheshin komisionet hetimore dhe grupi I dialogut, por duket se jo gjithçka shkoi mirë, pasi mbledhja e radhës u bë me 15 mars .
Mbledhja zgjati vetëm pak minuta dhe pa diskutime u miratuan dy komisione hetimore dhe grupi i dialogut që funksionin sot në Kuvend.




