Rishikimi i pensioneve, eksperti Hoxha: Skema e re të marrë parasysh ato minimale, 40% e shqiptarëve me pensione të pjesshme

Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore ka nisur punën për rishikimin e skemës së pensioneve.

Për të kuptuar më shumë nga diskutimet që po zhvillohen për formulën e re të pensioneve, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte eksperti i Ekonomisë Kujtim Hoxha.

“Skema aktuale është ndryshuar në vitin 2015 nga qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, u krijua që të mbushte gropën mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Dhe në këto vite ajo duhet të kishte dhënë rezultate, por kjo skemë jo vetëm që nuk e ka mbushur këtë gropë, por përkundrazi është thelluar dhe nuk ka dhënë asnjë lehtësim për qytetarët.

Me skemën e mëparshme një qytetari i duheshin 35 vite punë për të përfituar pension të plotë, por sot me skemën e re, duke shtuar me 4 muaj për çdo vit vjetërsinë e punës i duhen 38.4 vite punë që të përfitojnë pension të plotë.

Po ashtu kjo skemë nuk arritur të realizonte edhe parashikimin që kush derdh më shumë sigurime shoqërore merr më shumë pension.

Pra kjo skemë dështoi, sepse ka 74 lloje përfitime pensionesh dhe me këtë skemë shumica nuk përfitojnë pensione të plota.

Nga 110 mijë pensione të pjesshme sot rezulton se kemi 280 mijë pensione të tilla dhe kjo është e frikshme, sepse nuk janë thjesht shifra, pasi prapa këtyre numrave janë interesat e një familjeje.

Dhe kjo do të thotë që një e treta merr pensione të pjesshme. Por ajo që ka përkeqësuar skemën e sigurimeve shoqërore është dhe ndërhyrja e qeverisë në këtë skemë.

Ndaj skema e re të marrë parasysh ato minimale, 40% e shqiptarëve me pensione të pjesshme”, theksoi ndër të tjera eksperti Kujtim Hoxha.