FOTO+VIDEO/ Partizani triumfon në derbi, vendos dopieta e Maguette, në stadium edhe Sylvinho! Tabela e renditjes

Dy gola të Maget i kanë dhënë Partizanit suksesin e radhës 2-1 në derbi teksa zgjatin pritjen e bardhebluve për një sukses në sfidën e ndezur mes skuadrave kryeqytetase.

Këtë radhë, ndeshja kishte një peshë edhe më të veçantë, pasi në javët e fundit të kampionatit mund të ndikojë për praninë në “Final Four”.

NDESHJA

Pjesa e parë e ndeshjes ishte mjaft argëtuese me dy skuadrat të cilat krijuan raste të mira për shënim, ndërsa ra në sy dhe pjesëmarrja e teknikut të Kombëtares Sylvinho në shkallët e stadiumit.

FOTO+VIDEO/ Partizani triumfon në derbi, vendos dopieta e Maguette, në
Trajneri i kuqezinjve Sylvinho

Ekipi i drejtuar nga Orges Shehi pretendoi penallti në minutën e nëntë për një kontakt Mici-Rrapaj, por arbitri Eldorjan Hamiti bëri me shenjë që loja të vazhdojë, vendim ky i marrë pas një komunikimi në kufje.

Një eurogol i Maget nga distanca dërgoi në festë tifozërinë e kuqe në shkallët e stadiumit, në minutën e 15-të. Në këtë rast, portieri Kozi nuk mund të bënte asgjë, pasi një devijim i ndërroi disi udhë topit.

Në të 39-tën, Partizani vizitoi sërish portën e Tiranës, me “gardianin” Kozi që neutralizoi një goditje nga distanca të Rrapaj, përpara se në topin e kthyer, Keko të shpërdoronte një mundësi tjetër të mirë.

Djemtë e Erbim Fagut vendosën ekuilibrat në të 41-tën me Kristal Abazaj, i cili u tregua i saktë me një goditje me kokë. Hoxhallari u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 45-të për një ndërhyerje ndaj Kekos, por arbitri ndryshoi vendimin pas një rishikimi me VAR.

Në pjesën e dytë, Partizani shtoi presionin në zonën e kundërshtarit, Skuka-Keko “flirtuan” me golin, por vetëm kaq (65’). 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, sërish Skuka protagonist, me 25-vjeçarin që nuk shfrytëzoi si duhet një rast para portierit.

Jonuzi la Tiranën me 1 lojtarë më pak, Jonuzi u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa shtesa do sillte golin e triumfit në krahun tjetër. Në minutën e 3-të shtesë, e majta e Maget gjeti të papërgatitur Kozin, duke bërë që Partizani me këtë fitore të renditet në vendin e 3-të me 54 pikë.

RENDITJA

FOTO+VIDEO/ Partizani triumfon në derbi, vendos dopieta e Maguette, në

Kështu, Partizani merr tre pikë që e mbajnë në ndjekje të vendit të dytë të Vllaznisë, ndërsa Tirana duhet të vazhdojë të djersijë për një vend mes katër më të mirëve.

Ndërkaq, Kukësi i ka dhënë lamtumirën Kategorisë Superiore pas 12 vitesh, teksa tashmë është edhe matematikisht i rënë në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm.

Vetëm matematika mbante verilindorët në Superiore, pasi rënia dukej e sigurt prej disa javësh. Dhe me rotacionin e gjerë që kishte bërë Devolli, Teuta e kishte shumë të thjeshtë të dominote e kërkonte me ngulm golin për të fituar sfidën.

Daci në pjesën e parë dhe në fund Boçi me penallti, siguruan shifrat 2-0 për durrsakët dhe dekretuan rënien e Kukësit.

Ndërkohë, vetë skuadra e Martinit luan në javët e mbetura për të shmangur vendin e 8, atë që të çon në play-out për mbijetesën në elitë.