100 mijë lekë vota në Vorë, SPAK mbyll hetimet, çon dosjen e Agim Locit në GJKKO, i akuzuar për korrupsion zgjedhor
Agim Loci, ish-kryeplaku i komunës Bërxullë është marrë i pandehur dhe dërguar në gjykatë për akuzën “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Dërgimi në gjyq i Locit, është bërë pak ditë më parë nga prokurori i SPAK, Elvin Gogaj, i cili pas hetimeve të kryera përgjatë procedimit Nr.105, konstatoi implikimin e Locit në veprimtarinë kriminale të blerjes së votave kundrejt 100 mijë lekë të vjetra.
Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, i pandehuri Agim Loci, është angazhuar në fushatën e zgjedhjeve vendore të datës 14 Maj, të vitit 2023, për bashkinë Vorë, ku shtetësja A. Loci., vajza e të pandehurit Agim Loci, ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si pjesë e një prej koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje.
Hetimi ka evidentuar se, i pandehuri Agim Loci, i ka ofruar një gruaja shumën monetare në vlerën prej 100 mijë lekë të vjetra, , për të ndikuar në vullnetin e tij, në mënyrë që të votojë një subjekt të caktuar politik në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar në datën 14 Maj, 2023 (Bashkia Vorë).
Aktualisht, ish-kryeplaku i fshatit Bërxullë ndodhet në burg për shkak të një procedimi tjetër të nisur nga prokuroria e Tiranës, për tjetërsimin e 7500 m2 në zonën e Bërzhitës.
Së bashku më të është arrestuar dhe ish-kryekomunari Ymer Marku dhe ish-drejtori i menaxhimit të tokës, Kujtim Balliu.
NJOFTIMI i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.105, të vitit 2023, ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim në ngarkim të të pandehurit:
· Agim Loci, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
"Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, i pandehurit Agim Loci, është angazhuar në fushatën e zgjedhjeve vendore të datës 14 Maj, të vitit 2023, për bashkinë Vorë, ku shtetësja A. L., e bija e të pandehurit Agim Loci, ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si pjesë e një prej koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje.
Hetimi ka evidentuar se, i pandehuri Agim Loci, i ka ofruar shtetasit A.K. shumën monetare në vlerën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekë, për të ndikuar në vullnetin e tij, në mënyrë që të votojë një subjekt të caktuar politik në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar në datën 14 Maj, 2023 (Bashkia Vorë)", njofton SPAK.




