Teliti: Kur pushtetarët të jetojnë në pallatet kapic të Tiranës, në ajrin e ndotur dhe trafik ...

Anëtari demokrat në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti shprehet se politikanët dhe oligarkët jetojnë në vilat e periferisë, ndërkohë qytetarët e thjeshtë përballen cdo ditë me jetesën e vërtetë që ofron Kryeqyteti.

"Të shumta janë problemet e Tiranës, nga më të ndryshmet. Të jetosh në Tiranë jo vetëm që nuk është e thjeshtë, por fatkeqësisht nuk është as cilësore.

Prestigjozja "Monitor" në sondazhin e saj rendit qartë e shkoqur se cfarë e dëmton cilësinë e jetesës në Tiranë, duke filluar që nga ndërtimet pa kriter e pa planifikim, trafiku i renduar, mungesa e parqeve e hapësirave publike, e deri te ndotja e ajrit dhe zhurmat.

Doni ta dini se kur do bëhet Tirana një qytet i jetueshem?

Vetëm atëherë kur politikanët e veshur me pushtet të jetojnë në pallatet shumëkatëshe e shumëhyreshe kapic e ngjitur me njëra tjetrën, e të thithin 24 orë ajrin e ndotur 18 herë më shumë se normat e lejuara të OBSH-së, e të vuajnë trafikun e rënduar e të numërojnë orët për të gjetur një vend të thjeshtë parkimi.

Vetëm atëherë ndoshta do ti thërrasin mendjes që cilësia e jetesës në Tiranë dallon nga cilësia e videove me regji në rrjetet sociale.
Tirana meriton më tepër. Arsye më shumë për të protestuar të premten ora 11.00", thotë Teliti.