Sheqeri kaf me ngjyrues ushqimorë? AKU “dorëzohet”: Nuk mund ta analizojmë

Ky është sheqeri kaf i cili ka përdorim të gjerë nga konsumatorët, sepse cilësohet më i shëndetshëm se sheqeri i bardhe, kjo për shkak të përmbajtjes natyrale të melasës.

Por ka raste që mund të abuzohet me sheqerin kaf dhe ngjyra e tij mund të jetë si pasojë e pranisë ngjyruesve ushqimorë.

Në bazë të informacioneve të mbërritura në “Tv Ora News” disa lloje sheqeri kaf që tregtohen në vendin tonë ngjyrën nuk e kanë nga ekstrakti natyral i kallamit të sheqerit, por si pasojë e ngjyruesve ushqimorë të padeklaruar në etiketë.

Në kuadër të sigurisë ushqimore iu drejtuam AKU-t me një kërkesë për të bërë analizat e sheqerit kaf që tregtohet në vend.

Në përgjigjen e tij, ky institucion na bën me dije se nuk e ofron analizimin e ngjyruesve të shtuar ushqimorë.

Kjo indicie nga media nuk e shkund nga vendi AKU-n për të gjetur alternativa të tjera për kryerjen e analizave qoftë edhe jashtë vendit, për sa kohë vihet në pikëpyetje siguria ushqimore.

Gjendja e mjerueshme e laboratorit të AKU-n për qarkun e Tiranës është bërë evidente edhe nga raporti i KLSH-së.

Sipas auditimit të kryer nga KLSH-ja, nga 65 pajisje që administron laboratori, 11 prej tyre janë jashtë funksionit.

Edhe nëse ky laborator kryen analiza, nuk është siguria se rezultati është i saktë, pasi 20 pajisje nuk janë të kalibruara dhe kjo do të thotë që ka dyshime në saktësinë e rezultatit.

Drejtorët që ikin e vijnë në institucionin më të rëndësishëm të sigurisë ushqimore janë kujdesur të blejnë makina të reja dhe mobilje, por kanë mbyllur sytë para faktit se mos funksionimi i laboratorit ka cenuar sigurinë ushqimore në vend.

Situata brenda autoritetit më të rëndësishëm të sigurisë ushqimore në vend është sa qesharake aq edhe dramatike, pasi ky institucion përgjatë viteve 2018-2020 ka trajnuar stafin e laboratorit për analizimin e treguesve si ngjyruesit, aditivët ushqimorë dhe mykotoksinat, por këto analiza nuk kryhen në laboratorin e AKU-së.

Në këto kushte, “Tv Ora News” i ka dërguar mostrat e sheqerit kaf në një laborator jashtë vendit për t’i kryer analizat.