Inter ngre në qiell trofeun, zyrtarisht 20 herë kampion i Italisë!
Inter është zyrtarisht kampion i Italisë, dhe konfirmimi i titullit të 20-të në historinë e klubit zikaltër ka ardhur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mposhtur Milanin në derbin e madh të Madoninës.
Supersfida e javës së 33-të të Serie A u mbyll 1-2 në favorin e skuadrës së Simone Inzaghit.
Sfida nisi me tension nga të dyja skuadrat, ku për të qetësuar situatën u desh ndërhyerja e arbitrit. Zikaltërit kaluan në avantazh në minutën e 18-të, atëherë kur gjatë zhvillimit të një goditje këndi, Acerbi u koordinua mirë me kokë, duke kaluar topin pas shpinës së Maignan.
Pak më vonë, Lautaro shpërdoroi një mundësi të artë për të realizuar golin e dytë, atë të qetësisë. Kuqezinjtë e Piolit u shfaqën në të 40-tën, me Calabria—n që lëshoi sinjale nga distanca.
Pjesa e dytë filloi në mënyrë perfekte për Interin, që realizoi golin e dytë me Thuram, me një gjuajtje të bukur të francezit. Shumë pak për të thënë për Milanin, që u fut në lojë me Tomorin, shumë vonë, pa mundur dot të ndryshojë fatin e takimit.
Fundi i sfidës ishte mjaft i tensionuar, pasi Calabria, Hernandez dhe Dumfries dolën me karton të kuq.
Inter përmbyll kështu një sezon fenomenal, një kryevepër e vërtetë, teksa siguroi titullin 5 javë përpara fundit të kampionatit.


