Policia përgënjeshtron lajmin/ Efektivi në protestë, nuk është personi i dënuar në Itali
Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me lajmet e raportuara në media se një person i maskuar si polic ishte dënuar në Itali në vitin 2008 dhe ishte infiltruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të terrorizuar protestuesit.
Policia shprehet se ky lajm është i pavërtetë dhe se personi që ndodhej në protestë është pjesë e strukturave të policisë që prej janarit të 2022-shit.
Në deklaratë thuhet se personi i denoncuar nga mediat italiane është shtetas tjetër, pasi efektivi në vitin 2008 ka qenë vetëm 8 vjeç.
“Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale për një punonjës Policie, sqarojmë opinionin publik se pas verifikimeve të kryera, lajmi i publikuar është i pavërtetë.
Shtetasi E. F. Z., i datëlindjes 07.11.2000, është bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit në janar të vitit 2022, pasi ka mbaruar kursin për Patrullë të Përgjithshme, në Kolegjin e Policisë, pranë Akademisë së Sigurisë.
Shkrimi i publikuar në mediat italiane i referohet ngjarjes së ndodhur në vitin 2008, dhe në atë kohë punonjësi i Policisë, shtetasi E. F. Z., ka qenë 8 vjeç.
Publikime të tilla dashakeqe dhe të pavërteta, cenojnë imazhin e punonjësit të Policisë dhe të Organizatës së Policisë”, thuhet në deklaratë.
