FMN: Ukraina ka nevojë për një mbështetje buxhetore me vlerë 42 miliardë dollarë

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), qeveria ukrainase do të ketë nevojë për një mbështetje buxhetore me vlerë 42 miliardë dollarë këtë vit mes pushtimit të vazhdueshëm rus.

“Ne kemi besim se kjo nevojë do të plotësohet”, tha sot shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, në Uashington.

Ajo vlerësoi vendosmërinë e jashtëzakonshme të ukrainasve dhe tha se mbështetja për Ukrainën mbetet e qëndrueshme ndërsa vendi vazhdon të luftojë kundër forcave ruse.

Por, Georgieva tha se rezultati më i mirë për botën do të ishte fundi i luftës në Ukrainë dhe fundi i luftës në Rripin e Gazës gjithashtu.

FMN po mbështet Ukrainën me një program kredie që u miratua rreth një vit më parë.

Ai ka një afat prej katër vjetësh dhe synon t’i japë Ukrainës akses në 15,6 miliardë dollarë.

Disa javë më parë, FMN-ja miratoi një injeksion të mëtejshëm financiar për Kievin nga programi, duke i mundësuar vendit të tërheqë 880 milionë dollarë.