Opozita kundër pr/ligjit për planifikimin e territorit, Bardhi: Pabarazi mes një qytetari dhe një investitori strategjik

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut diskutoi sot projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh kundër këtij pr/ligji.

Ai theksoi se ky pr/ligj zgjeron kompetencat e kryeministrit dhe vendos pabarazi mes një qytetari të thjeshtë dhe një investitori strategjik.

“Që ta kuptojmë, Olta Xhaçka, ka një trajtim krejt preferencial kur ndërton hotelin 5 milionë euro, në tokë të vjedhur me letra të falsifikuara, në raport me një qytetar që do të rregullojë një çati apo një dritare. Këto ndryshime kanë dy standarde”, tha Bardhi.

“Ka edhe një arsye tjetër, – theksoi ai, – ata oligarkë që ndërtojnë pa leje ne vend që të shkojnë në burg, siç shkon një qytetar në burg për një gardh, përjashtohen nga taksat dhe detyrimet. Prandaj ligji nuk është për qytetarët, por për Kryeministrin dhe oligarkët.”

Pas propozimeve të opozitës, u votua shtyrja e votimit për këtë projektligj.