PS e refuzoi për mandatin e Xhaçkës, BE i kujton Zaçajt: Gjykata Kushtetuese, institucioni kyç i sistemit demokratik

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçajn me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin në mbështetje të institucionit që ajo drejton.

Në postimin e bërë nga takimi me Zaçajn, Gonzato tha se pjesë e diskutimeve ka qenë edhe puna e bërë deri më tani nga Gjykata Kushtetuese, të cilën e konsideroi si “institucionin kyç” të sistemit demokratik të vendit.

“Kënaqësi të takoja znj. Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Diskutuam për punën e Gjykatës dhe bashkëpunimin tonë të ardhshëm në mbështetje të këtij institucioni kyç të sistemit demokratik të Shqipërisë.” shkruan ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Kujtojmë se ky takim vjen vetëm pak ditë pas vendimit të paprecedentë të Kuvendit të Shqipërisë për mos dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.