Cungu: Laçi prioritet ka mbijetesën, skema e re e federatës e ka vrarë garën

Laçi mori fitoren e dytë radhazi në kampionat kundër Vllaznisë 2-1 në Shkodër dhe largohet përkohësisht nga zona frigorifer.

I ftuar në emisionin “Ora Sport”, trajneri Armando Cungu, deklaroi se pavarësisht momentit pozitiv, për Laçin prioritet është mbijetesa.

“Do të jetë luftë shumë e fortë deri në fund të kampionatit. Vllaznia është emër i madh i futbollit shqiptar dhe nuk është e lehtë të luash kundër tyre, por loja jonë ka qenë në rritje. Besimi tek ekipi është rritur dhe donim të merrnim diçka në transfertë. E lamë një gjurmë të mirë në Shkodër. Ky është një moment i mirë për Laçin dhe duhet mbajtur ky ritëm. Kemi pasur një ngërç psikologjik pas shumë barazimesh dhe nuk po vinte fitorja. Kemi lojtar të rinj dhe duhet që të rriten gradualisht”, tha tekniku shkodran.

Trajneri Armando Cungu, është kundër skemës “Final 4” dhe insiston se kjo formulë e re për të shpallur ekipin kampion e vret garën.  

“Nuk kam qenë dakord për këtë lloj sistemi. Unë jam për një kampionat siç e ka e gjithë bota. Kush ta mbylli në vendin e parë duhet të fitoj titullin. Këto skemat e tjera nuk më pëlqejnë. Ne duhet të ndjekim kampionatet më të forta në Evrope”, tha ai.

Pas 31 ndeshjesh Laçi ka grumbulluar 38 pikë dhe mban vendin e shatë, 1 pikë më shumë se Teuta që ndodhet në zonën play out.