REPORTAZHI/ Fiter Bajrami në Romë

Dita e Fiter Bajramin 2024 në Romë i ngjan një pikture frymëzuar nga një shpërthim ngjyrash.

Në Xhaminë e Madhe pozicionuar fare pranë Vatikanit, kostume tradicionale të të gjitha kulturave mbretërojnë këtë ditë feste.

Prindër, fëmijë, të rinj, të moshuar e të gjithë emigrantë nga Pakistani, Afrika, India, Ballkani, Kosova, Shqipëria, Egjipti, Siria, Turqia, banorë të Romës e rrethinave kanë mbërritur qysh herët për të kryer faljen e kësaj dite të shenjtë pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Xhami e Romës është vendi kult më i madh në Itali për besimtarët myslimanë e një nga xhamitë më të mëdha të Europës.

Në 30 mijë metra katrorë territor të saj, janë pozicionuar qysh herët me dhjetëra forca policie që patrullojnë çdo rrugë e rrugicë në harkun rrethues të xhamisë për të garantuar sigurinë e rendin publik në këtë ditë feste për besimtarët myslimanë.

REPORTAZHI/ Fiter Bajrami në Romë

Imami i kësaj xhamie thotë se në faljen e shentjë janë programuar 4 orare për të mundësuar hyrjen e të gjithë besimtarëve.

Me veshjet e tyre më të bukura që i ngjanë kostumografisë së një filmi hollivudianë të epokës, besimtarët kryejnë ritin e faljes e më pas në grupe urojnë e përqafojnë njëri-tjetrin.

Mes tyre dëgjon të flasin dhe shqip. Janë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë.

Gjen në Xhaminë e Madhe të Romës dhe jetë shqiptare.

Një familje nga Kuçova tregojnë se jetojnë në Romë prej shumë vitesh e në Xhaminë e Madhe vijnë e falen çdo ditë feste bashkë me fëmijët e tyre. Janë dy vogëlushë pak vjeçarë të veshur si një dasmë shqiptare që luajnë me njëri-tjerin buzë bordurës së shatërvanit qendror të Xhamisë.

Një grup kosovarësh nga Kosova, rrëfejnë se kanë shtruar disa iftarë me miq, të njohur, italianë e të kombësive të ndryshme, gjatë këtij muajit të bekuar të Ramazanit.

Ndërsa dy të rinj nga Maqedonia e Veriut tregojnë se në qytezën ku ata jetojnë pak kilometra larg Romës, ka sipërmarrës shqiptarë që bëjnë bamirësi e ndihmojnë mjaft persona qoftë shqiptarë, të huaj apo italianë, i punësojnë por dhe kontribuojnë në punë gratis për të kryer punime në ambientet publike të vendbanimit.

Një nënë shqiptare me bashkëshortin e verbër nën krah thotë se dëshira e saj më e madhe është të jetojnë me shëndet këtë rrugëtim jete.

REPORTAZHI/ Fiter Bajrami në Romë

Xhamia e Romës është ndërtuar të mikëpresë deri në 12 mijë besimtarë e sot duket se të gjithë janë aty. Imami i saj Nader Akkad, thotë se ne ditë të tilla ajo vizitohet nga rreth 40 mijë besimtarë.

Pas lutjes në oborrin plot jeshillëk, shatërvanë e lule, grupe besimtarësh kryejnë fotografitë e rastit e më pas ulen mbi bar e shtrojnë si në një piknik fshati një drekë me gatimet më të mira tradicionale të kulturës së tyre.

REPORTAZHI/ Fiter Bajrami në Romë

Të fotografosh këtë moment është si të sodisësh një pikturë frymëzuar nga një shpërthim ngjyrësh.

Veshjet e vajzave e grave afrikane, indiane, pakistaneze, siriane, afgane, shkëlqejnë nga bizhuteritë e trupit e stolive të kokës, ndërsa në kostumet tradicionale të burrave mbizotëron ngjyra e bardhë e shamitë në ngjyra të ndryshme sipas kombësive që u veshin kokat e qafën.

Xhamia e Madhe e Romës është hapur më 21 qershor 1992 e janë dashur plot 10 vite për ndërtimin e saj.

Ka një arkitekturë tipike esenciale islamike me trarë e harqe që evokojnë modelin e një xhamie pyll, karakteristike e xhamisë otomane, persiane, spanjolle me një alternim hapësirash nga ato të mëdhat në ato të ngushta e të vogla.

Elementet dekorative janë pllakat e qeramikës në ngjyra delikate jeshile, blu nate e të bardhë ndësa mbishkrimi Allahu është drita mbizotëron ambiente e saj.

REPORTAZHI/ Fiter Bajrami në Romë

Xhamia e Romës u sposorizua nga mbreti saudita Fayṣal ibn ʿAbd al-ʿAzīz Āl Saʿūd.

Arkitekt i saj ishte italiani Paolo Portoghesi e gjatë ndërtimit të saj u përdorën materiale ndërtimi si gurë, mermer e qeramikë tipike italiane.

Xhamia e Madhe e Romës është një Qendër e Kulturës Islamike në Itali e një vend simbol i dialogut institucional me autoritetet italiane jo pak herë komunimet zyrtare të saj kanë qenë një rrugëtim dialogu e bashkëjetese në momente të vështira të panoramës ndërkombëtare.

REPORTAZHI/ Fiter Bajrami në Romë

Në Itali jetojnë rreth 2 milionë besimtarë myslimanë e Fiter Bajrami u kremtua dhe në qytete e komuna të tjera, vende Kulti e në Qendra të kulturës islamike.