EMRAT+ FOTO/ Një vajzë në makinë shkak i sherrit me thika, detaje të reja nga vrasja e 18-vjeçarit në Tiranë
Mësohen detaje të reja lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit, Aurelio Dervishi, i cili humbi jetën si pasojë e një sherri me thika me bashkëmoshtarët e tij mbrëmë te rrethi i Shkozës në Tiranë.
Raportohet se sherri mes të rinjve nisi për një vajzë. Mbrëmjen e së dielës dy grupet me të rinjtë kanë shkëmbyer ofeza dhe kunja me njëri-tjetrin.
Në makinën e viktimës ishte dhe vajza për të cilën e bë sherri. Ajo shoqërohej me 18-vjeçarin. Pasi kanë shkëmbyer disa fjalë dy mjetet kanë ndaluar për t’u sqaruar ku kanë përdorur dhe thikat.
Lidhur me ngjarjes Policia ka ndaluar 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Shkozë, ku u vra 18-vjeçari Aurelio Dervishi.
Policia njoftoi se ka arrestuar Frensis Shehun 20 vjeç dhe tre të mitur, të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç.
Policia po vijon hetimet për të zbuluar se cili nga personat e shoqëruar ka goditur me thikë 18-vjeçarin.
Ja çfarë thotë policia:
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt të çastit me mjete prerëse mes disa personave, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën shtetasi A. D., 18 vjeç, ju informojmë se:
Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital”, njofton policia.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Aurelio Dervishi, 18 vjeç u qëllua me thikë në gjoks nga bashkëmoshatarët e tij dhe si pasojë e plagëve të rënda humbi jetën rrugës për në spital.


