Orges Shehi ndez motorët për “fundin”: Kampionati, në një fazë delikate, duhet të jemi më kompetitiv
Orges Shehi trajneri i Partizanit i ftuar në emisionin “Sport Focus” në “Ora News” nën moderimin e Vjosana Nozllakut flet për demat e kuq dhe pjesën e mbetur të kampionatit.
Si po ndihet Shehi tek Partizani?
Unë e kam thënë që kur kam ardhur që ndihem mirë. Patjetër, sa vjen dhe kalojnë ditët, javët, muajt sigurisht që fillon dhe ambientohesh më shumë me ambientin, stafin, njerëzit këtu dhe përgjithësisht po shkojnë mirë edhe pse ka disa gjëra që do donim të shkonin më mirë.
Si ndihesh që nga një ish-lojtar i Partizanit, tashmë e drejton këtë ekip?
E kam thënë edhe në fillim, është më e lehtë, më e lehtë për një person që ka kaluar 4 vite në një klub dhe ka qenë pjesë e këtij klubi kur rikthehet, edhe pse je në detyrë tjetër klubi është i njëjtë po ai.
Pra, Partizani edhe pse me ndryshime rrënjësore, për mirë gjithmonë, edhe tifozët janë po ato, kështu që ndihem mire.
Si po të duket Partizani deri në këtë pikë të lojës në kampionat?
Unë që në fillim të intervistës thashë që doja që disa gjëra të shkonin më mirë dhe pikërisht për këtë e kisha fjalën, që do donim të kishim disa rezultate më të mira, edhe pse ishim koshient që vështirësia do të ishte e madhe.
Kur vjen në mes të kampionatit, sigurisht, që nuk është si në fillim, edhe për këtë do doja të kishim disa rezultate më të mira në disa momente më deçizive.
Por çfarë ka ikur ka ikur, duhet të shohim përpara. Ne do të vazhdojmë po me të njëjtin impenjim dhe seriozitet siç kemi bërë deri tani.
Deri në këto momente Partizani ndodhet në vendin e parë me 46 pikë, kur ju keni ardhur nën drejtimin e klubit, si e keni parashikuar ecurinë e këtij ekipi? Deri ku mund të arrijë në Final Four?
Ne gjithmonë e trajtojmë sikur është kampionat i viteve të shkuara, por mos harrojmë që ky është kampionat tjetër për shkak të formulës, përmbajtjes që ka, sepse e dimë që do të shkojmë në “Final four”, dhe kjo varet pastaj nga dy takimi.
Patjetër, që të shkojmë deri atje duhet të jemi më kompetitiv, të kemi stabilitet në lojë dhe rezultate.
Por pengu më i madh është eliminimi nga Kupa.
Për sa i përket “final four” do e shohim në fund se sa fitimprurëse do të jetë...
Kupa është një format që e shohim edhe në botë që edhe skuadrat që vinë nga liga e dytë mund të shkojnë deri në finale. Pra, një format që me dy takime mund të eliminohesh. Ne na vjen keq, sepse fituam ndeshjen e parë atje dhe ndeshjen e dytë këtu skuadra u përpoq që të bënte maksimumin, nuk donim ta çonim deri tek penalltitë, pastaj është çështje fati.
Kush mendon se mund ta fitojë Kupën e Shqipërisë?
Kur nuk jemi ne në katërshe nuk kam asnjë interes, përderisa s’jam unë dhe skuadra ime aty..
Flasim për kampionatin...
Deri diku 3 skuadrat e para janë të pritshme, sigurisht ka surprizuar Skëndërbeu që renditet e katërta, duke lënë pas Tiranën dhe Dinamon që ishin edhe ato dy pretendente.
Tek ne ka ndodhur një fenomen që kurrsesi nuk dua që të ndodhë në të ardhmen, sepse po t’i shohësh ndeshjet që kemi luajtur me 3 skuadrat e renditura të parat i kemi me rezultat pozitiv, ndërsa me skuadrat që renditen poshtë nesh kemi rezultate jo dhe aq të mira.
Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe këmbëngulim, sepse vlerësimi dhe impenjimi për të marrë 3 pikët duhet të jetë maksimal.
Shehi flet për rikthimin e Xhuliano Skukës..
“Unë nuk dua që lojtarët që ikin njëherë jashtë të rikthehen këtu, sepse dua që ato të bëjnë progres pozitiv andej.
Por në momentin që e sheh që nuk po ndihesh mirë dhe rikthehesh ku ka më mirë që lojtarët me nivel të lartë që është edhe Skuka t’i kemi në gjirin e skuadrës.
Skuka erdhi pas një periudhe që nuk ishte aktivizuar rregullisht dhe gjendja fizike e tij nuk ishte optimal.
Për fatin e keq të tijin dhe të ekipit pas derbit ai pësoi një dëmtim dhe dëmtimi e ka lënë për rreth një muaj jashtë, tani ka ardhur dhe luajti ndeshjen që kaluam dhe ai dëmtim e ka frenuar pak, por tani do të jetë mirë.
A e ka ndjekur Shehi Tiranën?
Tirana është një skuadër pretendente, siç ka qenë gjithmonë me ato luhatjet e veta. Është aty për të luftuar për “final four” edhe kaq. S’kam si të kem kontakte me to tani që unë drejtoj Partizanin, çdo njeri ka punën e vet jetën e vet dhe s’kam pasur kontakte, kaq.
Trajneri aktual i Tiranës ka qenë pjesë e stafit tënd tek Tirana, si e shihni Erbim Fagun?
Erbimi është një ish-shoku im i skuadrës, e kam pasur edhe ndihmës tek Tirana! E kam uruar që ka marrë drejtimin e Tiranës, i kam thënë që “të të shkojë mbarë”, sepse është eksperienca e tij e parë.
Edhe pas emërimit të tij kemi shkëmbyer ndonjë mesazh edhe para disa ditës e takova kur ishim në kursin e UEFA-s.
Partizani do të luajë me Laçin, si e sheh këtë ndeshje?
Kampionati ka hyrë në një fazë delikate. Është ndeshje e rëndësishme edhe e vështirë, skuadra është përgatitur. Kemi pasur këtë periudhën e Kombëtares pushim edhe nuk kemi qenë me ekipin e plotë se kemi lojtarë të grumbulluar.
Skuadra ka punuar mirë, shpresojmë pa asnjë lloj dëmtimi apo problemi, që të jenë të gatshëm.
Z. Shehi është përfolur që në radarët e Partizanit është lojtari i Kukësit Salam?
Partizani ka një staf që punon edhe për hyrjet ose daljet ajo është kopetencë e tyre të japin mendime sigurisht duke i konsultuar me stafin tonë, por janë gjëra të brendshme që s’i flasim dot.
Përqendrimi im është tek “final four”, tek këto lojtarë që kam. Më kthehet dhe Mehmeti nga dëmtimi, pra ky është preokupimi im më i madh për momentin që të kem grupin e plotë.

