Faturat e energjisë, Duleviç: Të ulet çmimi për furrat e vogla dhe familjet, shteti u merr 6-fishin e kostos së prodhimit
Çmimi i energjisë për furrat e bukës do të ndryshojë duke u vendosur në tre fasha. Për ata që nuk kanë aktivitet shtesë vlera qëndron 7.9 lekë për kilovat dhe në 9 lekë për ata që prodhojnë edhe ëmbëlsira.
Në rast se biznesi ka shtuar edhe bar kafe vlera rritet në 12 lekë. Edhe pse qeveria pranoi se për këtë vendim kanë gjetur dakordësinë, ajo çfarë nuk po thuhet është se kjo rritje e çmimit të energjisë për furrat përkthehet në shtrenjtim të bukës në tryezat e familjeve shqiptare.
Për të kuptuar më shumë mbi këtë dakordësi të qeverisë dhe furrtarëve, në studion e lajmeve në “Ora News” ishte i ftuar eksperti i energjisë, Azmer Duleviç.
“Propozimi për këtë ndryshim të çmimit të energjisë është i vonuar, pasi duhej të ishte bërë më përpara.
Vërtetë çmimi për furrat që prodhojnë vetëm bukë nuk ndryshoi, por cilësia e energjisë elektrike sa vjen dhe i shkon më dobët në ambientet e tyre. Dhe si rezultat mund të çojë në djegien e pajisjeve të këtyre furrave.
Duhet të kuptojmë se ka ardhur dhe momenti i rishikimit të çmimit të energjisë, pasi ne prodhojmë energji me një kosto prej 1.5 lekë kilovat orë dhe shteti ua shet këtyre furrave me çmimin 7.6 lekë kilovat orë.
Pra duhet parë edhe një rishikim edhe çmimit të enbergjisë elektrike edhe për familjarët, pasi ne kemi çmimin më të lartë në rajon të energjisë elektrike”, u shpreh ndër të tjera, eksperti i energjisë, Azmer Duleviç.


