Rrahja në Korçë me shkopinj bejsbolli/ Balla: Policia, vëmendje më të madhe rasteve të dhunës mes adoleshentëve
View this post on Instagram
Ministri i Brendshëm Taulant Balla i bëri thirrje Policisë së Shtetit që t’i kushtojë gjithmonë e më shumë vëmendje rasteve të dhunës mes adoleshentëve dhe të rinjve, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të tyre në ngjarje kriminale.
Në një reagim të tij në rrjete sociale, Balla solli në vëmendje se, “rasti i sotëm në Korçë, ku u dëmtua me sende të forta një shtetas, për motive të dobëta, apo ai i pak ditëve më parë në Fier, janë alarme që duhet ta mbajnë Policinë e Shtetit të vëmendshme ndaj këtij fenomeni”.
Balla tha se, konfliktet nisin shpesh herë online dhe më pas degradojnë në dhunë fizike apo akte kriminale.
Mesditën e sotme, në lagjen nr. 16, Korçë, në ambientin e një lavazhi, shtetasit S. S., K. S., M. Xh., dhe E. G., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta, shtetasin R. H., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili po merr mjekim në spitalin e Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe po vijojnë punën për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes. Nga hetimet e kryera dyshohet se ky konflikt ka ndodhur pas një konflikti të mëparshëm të ndodhur më datë 14.02.2024, në Korçë, midis shtetasit S. S., R. H., dhe vëllait të këtij të fundit.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
