Skepticizëm në Prishtinë për progres në takimin Bislimi-Petkoviç në Bruksel
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe analistët politikë nuk presin progres në dialog, pavarësisht takimit në nivel të kryenegociatorëve të thirrur nga Bashkimi Evropian më 19 mars në Bruksel. Në partinë e Ramush Hardinaj kritikojnë kryeministrin Albin Kurti, për qasje të gabuar në dialog, si dhe akuzojnë se çështjet e brendshme si rregullorja e BQK-së, po i transferon në çështje politike në dialog.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për KosovaPress, se Kurti do të zvarrisë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, për shkak se zgjedhjet janë afër dhe ai frikësohet se do të humb përkrahjen popullore.
Në anën tjetër, politologu Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se Lajçak do të tentojë që në fund të mandatit të tij, të përdorë të gjitha metodat dhe mënyrat për t’i shtyrë palët të zbatojnë marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit. Megjithëse është skeptik se do të ketë rezultate, ai kritikon palën kosovare se e ka bërë temë në dialog ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë, përmes rregullores së BQK-së.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano,ka konfirmuar të premten se takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Beogradit, do të mbahet më 19 mars në Bruksel. Ai në një konferencë për media tha se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka ftuar kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë në Bruksel, për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, si dhe për vazhduar diskutimet për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit.
Nga Qeveria e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim. Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka thënë për KosovaPress, se në fokus të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi i marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, si dhe aneksit zbatues.
“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqëndrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, thënë ai.
Gjatë kësaj jave në Kosovë ka qëndruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili kërkoi nga pala kosovare fleksibilitet për gjetjen e një zgjidhje për dinarin si dhe për zbatimin e ujdive të Brukselit dhe Ohrit. /KosovaPress/


