Gjykata e Lartë vendos sot për “21 janarin”, familjarët: T’i kalojë SPAK-ut

Në Gjykatën e Lartë po shqyrtohet kërkesa e familjarëve të viktimave të “21 Janarit”. Ata kërkojnë nga trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, që dosja e “21 Janarit” të hetohet nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke e cilësuar një krim shtetëror, ku të pandehur sipas tyre, duhet të jenë dhe ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Në media janë zbardhur detaje nga seanca gjyqësore. Avokati i Rajmonda Nikës, Idajet Beqiri tha se kallëzimi penal ndaj personave është në kompetencë të SPAK

“Ne kemi paraqitur rekurs para jush dhe kërkojmë nga ana juaj qe kjo çështje të këtij gjykimi të vendoset kalimi pranë SPAK, sepse ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe ka përdorur mjete ekstra procedurale që nuk bazohen në kodin e procedurës penale. Kallëzimi penal ndaj personave është në kompetencë të SPAK dhe jo të prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm. Si viktimë krimi paraqiten rrethanat dhe me emër e mbiemër. Ne nuk prisnim moskompetencë që u miratua dhe nga gjykata. Ligjvënësi ka caktuar disa mënyra si konflikt kompetencash, mos fillim apo pushim çështjeje. Dhe nga pikëpamja lëndore kjo çështje i përket SPAK”, tha ai.

“SPAK ka bërë rolin e një të padituri. Ne themi me kallëzim konkret, kemi dhënë provat dhe nuk mund të thuash me një shkresë përcjellëse që po dolën gjatë hetimit tek e Tiranës na takon neve. Po të qëndrojmë tek Gjykata e Strasburgut thotë që është krim shtetëror dhe krimin shtetëror nuk e kryen gardisti”, tha Idajet Beqiri, avokati i Rajmonda Nikës.

Prokurori i  SPAK, Alfred Shehu u shpreh se kërkesa e Prokurorisë Antikorrupsion është të rrëzojë rekursin.

“Pasi u njohëm me kërkesën çmojmë që nuk janë të pabazuara. Funksionet e Prokurorisë së Posaçme përcaktohen me ligj, parashikohen në ligj. Duhen të dhëna minimale për të nisur një procedim penal. Qe prokurori të ngrejë akuzë duhet të zhvillojë një hetim të thelluar. Duke iu kthyer rekursit theksojmë se SPAK nuk ka regjistruar kallëzim penal, por vetëm regjistrim kallëzimi. Për shkak se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal dhe ka nisur hetim për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Gjithashtu rezulton se nga përmbajtja e materialit kallëzues në lidhje me objektin e kallëzimit penal nuk rezulton të jenë identifikuar autorë të kësaj vepre penale, madje as emrat e subjekteve të posaçëm. Shkresat në vetvete janë shkresa administrative dhe kërkuesja nuk mund të ankimonte një shkresë të tillë. Pavarësisht ngjarjes së rëndë nuk rezulton që ngjarja të jetë kryer në formën e bashkëpunimi të veçantë që të jetë kompetencë e SPAK”, tha Alfred Shehu, prokuror i SPAK gjatë seancës.

Dosja hetimore e “21 Janarit”, lidhet me protestën e zhvilluar në 21 janar 2011 përballë Kryeministrisë, ku mbetën viktima katër persona. Sot Gjykata e Lartë vendos nëse dosja do t’i kalojë SPAK-ut apo do të mbetet në duart e Prokurorisë së Tiranës.

Por të afërmit e Aleks Nikës, për vrasjen e të cilit prej 13 vitesh nuk ka asnjë të re nga hetimet e prokurorisë së kryeqytetit, thanë se SPAK, duhet të fokusohet në hetime edhe ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi.

Ky qëndrim i familjes Nika, por edhe të afërmve të tre të vrarëve të tjerë në bulevard, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj, nuk u pranua nga SPAK me konkluzionin se çështja po hetohej sakaq në Prokurorinë e Tiranës.

Në nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin e radhës për Aleks Nikën, duke gjetur si shkelje moshetimin dhe moszbardhjen e vrasjes së tij. Prej vitesh, prokuroria e Tiranës e ka hapur e pezulluar disa herë hetimin për zbardhjen e dy vrasjeve, atë të Hekuran Dedës dhe të Aleks Nikës.