“Po bisedohet për paqen në Kuvend”/ Ambasadori i BE-së apel palëve: Reflektoni realitetin politik
Dialogu për të risjellë stabilitetin në parlament duhet të jetë konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Këtë linjë mbajti ambasadori i BE-së për Shqipërinë lidhur me situatën aktuale dhe debatet mes opozitës dhe mazhorancës duke shtuar edhe nevojën për reflektimin e realitetit politik.
Ambasadori i BE-së për Shqipërinë Silvio Gonzato edhe një herë i bën thirrje palëve politike për dialog.
Nga Durrësi gjatë një deklarate për mediat, ai theksoi se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektojë situatën aktuale politike, në mënyrë që të bëhen dhe reformat e nevojshme.
“E kam thënë dhe disa kohë më parë kur u pyeta pikërisht për këtë çështje. Megjithatë unë përdora fjalët që ne kishim thënë më parë dhe këto fjalë janë që ne dëshirojmë që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv. Duhet gjithashtu të reflektojë realitetin politik në vend”, theksoi ambasadori.
Po ashtu ai konfirmon edhe nisjen e bisedimeve për të kthyer parlamentin në normalitet.
“Unë e di që ka disa përpjekje që po bëhen në parlament, pikërisht për të arritur disa reforma në vend. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e ka bërë të qartë që këto janë çështje të cilat ne besojmë do të zgjidhen së shpejti”, u shpreh diplomati evropian.
Prej 5 muajsh tashmë parlamenti është përfshirë nga kaosi për shkak të mosdakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës.
Mos lejimi i ngritjes së komisioneve hetimore si dhe mos pranimi i kërkesës për të ndryshuar anëtarët e komisionit të reformës zgjedhore bëri që opozita të bllokonte seancat plenare dhe çdo punim të Kuvendit.
Si zgjidhje mazhoranca zhvendosi diskutimet në komisione përmes platformave online, ndërsa projektligjet në parlament votohen pa debat e diskutime.


