Rruga e Dukagjinit, Rama: Drejt një hapësire magjepsëse
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rruga e Dukagjinit do t’i shërbejë zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Rama në takimin me strukturat e PS-së në Shkodër, e cilësoi atë si rruga drejt një hapësirë magjepsëse.
“Rruga e Dukagjinit, sot rruga e Dukagjinit është një aks i kushtueshëm, i kushtueshëm për buxhetin, që po hapet në një zonë ku s’ka numra, në sensin e numrave që do të ketë parasysh për rikthim. Por ajo është, në fakt, rruga drejt një hapësire magjepsëse”, tha ai.
E njëjta gjë, shtoi ai, ndodh me rrugën e Arbrit. Këtu Rama u ktheu përgjigje edhe atyre që shprehen se rruga nuk ka përfunduar sipas parashikimeve.
“Përfitoj nga rasti t’u them disave që bëjnë “gam, gam” për Rrugën e Arbrit, “jo po ku është, jo po ku nuk është”. Rruga e Arbrit është aty, shërben, nuk është e përfunduar për shkak të gjeologjisë së Tunelit të Murrizit, e kemi thënë 1 milion herë, por aty puna po vazhdon. Tuneli i Murrizit më në fund është lidhur, dhe ndërkohë duhet bërë tani armatimi i gjithë strukturës që të jetë solide. Dhe me përfundimin e tunelit të Murrizit do të ketë të gjithë përmasën e vet. Se këtu është keq t’i hapësh rrugën për përdorim, e këtej mos t’ia hapësh. Këtu hap për përdorim rrugën dhe pastaj fillojnë nazet dhe fillojnë kritikat, a thua se është duke përfunduar, duhet kuptuar kjo gjë”, tha Rama.
Ndërsa për sa i përket vonesave apo problemeve teknike gjatë ndërtimit të akseve rrugore, Rama theksoi se të gjitha rrugët në përfundim të dorëzimit të tyre do të jenë brenda parametrave dhe plotësisht të sigurta.
“Ndërsa për sa i përket vonesave, se disa nga ata që kritikojnë, kritikojnë nga jashtë shtetit dhe pyesni në vendet e tyre sa vite kërkon bërja e një rruge. Le të pyesin, le të pyesin në Gjermani, për sa vite e bën Gjermania një rrugë, e le të pyesin në Angli po të duan, të pyesin ku të kenë qejf Francë, s’po them në Itali që unë kam qenë me të gjitha flokët e zeza kur flisnim për urën në Streto atje poshtë, edhe sot ende është debati “do bëjmë urën, s’do bëjmë urën” dhe premtimet bëhen, njëri thotë “do ta bëjmë urën”, tjetri thotë “s’e bën dot urën”. Nuk janë gjëra të lehta, se duhet të bëhen mirë. Apo ndodh një problem me një rrëshqitje për shkak të gjeologjisë në një rrugë që nuk është e përfunduar, por është e hapur për përdorim, siç është rasti i Ersekës, dhe hidhen të gjithë përpjetë, a thua se… Jo, ajo është rrugë që po ndërtohet, nuk është marrë në dorëzim dhe natyrisht ndodhin edhe këto në kantiere, se janë fenomene gjeologjike, që në momente të caktuara ti ndeshesh dhe nuk i parashikon dot përpara, dhe me të gjitha shpenzimet e kompanisë, sepse kështu e parashikon kontrata, qoftë në Murriz, qoftë atje, atje, do të bëhen të gjitha adresimet e nevojshme dhe rruga kur të përfundojë dhe kur të merret në dorëzim dhe të jetë rruga e shtetit që menaxhohet nga shteti, do të jetë plotësisht e ndërtuar dhe e sigurt”, deklaroi ai.
