Biden uron Suedinë për anëtarësimin në Aleancën ushtarake: NATO-ja është më e fortë se kurrë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se është i nderuar që mirëpret Suedinë si anëtaren e 32-të te NATO-s, duke u shprehur se tani Aleanca “është më e fortë se kurrë”.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se siguria dhe mburoja transatlantike është më e fortë.

“Sot, kam nderin të mirëpres Suedinë si Aleatin e 32-të të NATO-s. 75 vjet më parë, kur u krijua NATO-ja, Presidenti Truman tha se Aleanca ‘do të krijonte një mburojë kundër agresionit dhe frikës nga agresioni’.

Kjo mburojë – dhe siguria transatlantike – është më e fortë se kurrë”, ka shkruar Biden.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, të enjten i dorëzoi zyrtarisht dokumentet e anëtarësimit Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

“Me marrjen e këtij instrumenti të pranimit, më lejoni të jem i pari që do të mirëpres Suedinë si palë në Traktatin e Uashingtonit dhe anëtarin e 32-të të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut”, ka thënë të enjten sekretari i Shtetit Antony Blinken së bashku me kryeministrin suedez.