Muaji i “Paqes” do nisë me luftë/ Dështojnë negociatat për armëpushim në Gaza për Ramazan
Negociatat që synojnë ndërmjetësimin e një armëpushimi në Gaza kanë ngecur, disa ditë përpara një afati jozyrtar të fillimit të Ramazanit. Se çfarë ndodhi në Kajro mes delegacioneve dhe kush u tërhoq nga ky akt, ju njeh materiali në vijim.
Muaji i shenjtë e Ramazanit me gjasë do ta gjejë në luftë Gazan! Bisedime midis Hamasit dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë në kryeqytetin egjiptian nuk e prodhuan armëpushimin e shumëpritur.
Kajro nuk solli asnjë përparim të rëndësishëm teksa Hamasi ka refuzuar që të lirojë 100 pengjet që vlerësohet sembahen ende prej tyre dhe trupat e 30 të tjerëve nëse Izraeli nuk i jep fund ofensivës, nuk tërhiqet nga Gaza dhe nuk liron një numër të madh të të burgosurve palestinezë, përfshirë edhe luftëtarë të lartë të Hamasit, të dënuar me burgim të përjetshëm.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se janë skeptikë nëse Hamasi dëshiron të arrihet një marrëveshje sepse grupi i tyre ka refuzuar një sërë kërkesash, që SHBA-ja dhe të tjerët besojnë se janë legjitime, përfshirë edhe dhënia e një liste emrash të pengjeve që do të liroheshin.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë gjatë dy ditëve të fundit kanë bërë presion mbi Hamasin për ta prodhuar këtë listë, si hapi i parë për të vijuar bisedimet.
Armëpushimi është në duart e Hamasit tani”, u tha presidenti amerikan Joe Biden gazetarëve.
Ai sugjeroi se dështimi mund të çojë në përhapjen e trazirave në zona të tjera palestineze.
“Duhet të ketë një armëpushim sepse nëse futemi në rrethana ku kjo vazhdon deri në Ramazan, Izraeli dhe Jerusalemi mund të jenë shumë, shumë të rrezikshëm”, tha Biden.
Meqenëse lista me 40 pengje përfshirë të moshuar, të sëmurë dhe femra që do të liroheshin si pjesë armëpushimit gjashtëjavor nuk u ofrua nga Hamas, edhe Izraeli refuzoi të dërgonte një delegacion në ditën e dytë të bisedimeve.
“Është në dorën e Hamasit të vendosë nëse është i gatshëm të angazhohet”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të martën.
Ndërkohë zyrtarët palestinezë ngrenë të tjera pretendime se është "Netanyahu nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje" dhe "topi tani është në fushën e amerikanëve" për të shtypur kryeministrin izraelit që të kthehet në tryezë.
Kryeministri izraelit, publikisht ka refuzuar kërkesat e Hamasit dhe vazhdimisht është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa terroristët të shkatërrohen dhe të gjitha pengjet të lirohen.
E mërkura duket se është mundësia e fundit për të hyrë pa plumba e raketa në muajin e shenjtë të Ramazanit.


