Inteligjenca moldave: Rusia planifikon ndërhyrjen në zgjedhje për të penguar rrugën e vendit drejt BE

Kreu i Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë së Moldavisë tha se ka informacione që tregojnë se Rusia planifikon të ndërhyjë në zgjedhjet e 2024 dhe 2025 për të penguar përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Alexandru Musteata, drejtor i Shërbimit Moldavi të Inteligjencës dhe Sigurisë, (SIS), tha se “Rusia është e përfshirë në një operacion keqdashës për të komprometuar shpresat e anëtarësimit të Moldavisë në BE duke ndërhyrë në proceset e saj zgjedhore”.

“Moska fillimisht synoi zgjedhjet lokale të Moldavisë në nëntor 2023 dhe tani do të kërkojë të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale dhe referendumin e integrimit të vendit në BE këtë vjeshtë dhe zgjedhjet parlamentare në korrik 2025. Tani po përpiqen të përfundojnë dy fazat e ardhshme, për të ndërhyrë në proceset zgjedhore të këtij viti. Kemi informacione se po bëhen përpjekje për të kompromentuar referendumin për integrim evropian, për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale dhe për të denigruar institucionet politike dhe kandidatët që do të promovojnë anëtarësimin në BE”, tha Musteata.

Kreu i SIS shpjegoi se Moska do të mbështesë lloje të ndryshme të aktorëve politikë, të cilët, pasi të zgjidhen, do t'i shërbejnë interesave armiqësore të Kremlinit.

“Aktorët politikë të deklaruar hapur pro-rusë, ata kanë lidhje të drejtpërdrejta dhe të konfirmuara me shërbimet speciale ruse, konsulentët politikë, grupet e krimit të organizuar nën udhëheqjen e Kremlinit, grupet oligarkike dhe aktorët politikë që deklarojnë se mbështesin shtetin, duke u fshehur pas politikave të jashtme neutrale, duke deklaruar se mbrojnë interesin kombëtar, neutralitetin dhe shtetësinë, por në fakt qëllimi i tyre është t'i shërbejnë Moskës në formë të kamufluar. Të gjithë ata po planifikojnë kriza ekonomike dhe sociale, përplasje sociale për të nxitur urrejtje ndëretnike, kriza të sigurisë ose rendit publik, duke përfshirë rajonin e UTAG [rajonit prorus të Gagauzisë] ose në të majtë të lumit Dniester [ rajoni separatist i Transnistrisë]”, shtoi ai.

Shefi i SIS parashikoi se tentativat për destabilizimin do të kontrollohen nga oligarku i arratisur Ilan Shor dhe do të nisin nga Gagauzia në jug të Moldavisë, ku Shor është shumë me ndikim dhe shpenzon shuma të konsiderueshme parash për organizimin e protestave dhe veprimeve të dhunshme.

“Kjo strategji tashmë mund të shihet publikisht. Këto forca do të promovojnë mesazhin e rremë se anëtarësimi i Republikës së Moldavisë në BE do të ndikonte në sovranitetin e vendit”, tha Musteata.

Musteata gjithashtu tërhoqi vëmendjen për përdorimin e aplikacioneve Telegram dhe TikTok për përhapjen e dezinformatave, por edhe përpjekjet për të përdorur kanalet televizive për propagandë.

Zëvendëssekretari i NATO-s, Mircea Geoana, tha gjithashtu më 15 shkurt se Rusia do të përpiqet të pengojë rrugën e Moldavisë drejt anëtarësimit në BE duke përdorur taktika hibride.

“Është e qartë se në Federatën Ruse ekziston një interes i dukshëm për të prishur rrugën pro-perëndimore të Republikës së Moldavisë ose vendeve të tjera kandidate për anëtarësim në BE,” tha Geoana për TVR Moldova.