Gjykata tërhiqet për vendimin/ Beleri: Ky hetim dhe këto akuza janë sajesa qesharake, Rama kërkon të më mbajë në burg
Trupa gjykuese u tërhoq në dhomë këshillimi për të marrë vendimin për Fredi Belerin, i cili akuzohet për blerje votash. Beleri lexoi deklaratën para shpalljes së vendimit, ku u shpreh se ky hetim është politik.
“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë. Më ka bërë presion. SPAK kërkon të më dënojë përsa kohë i duhet Edi Ramës. Sajesa qesharake të pabazuara. Ky hetim tregon si manipulohet procesi gjyqësor. Këto konkluzione nuk mund të merren parasysh nga trupa e gjykimit. Dosja nuk ka fakte, ndaj nuk kam kërkuar gjykim të shkurtuar. Të gjitha gjetjet e prokurorisë kundërshtohen nga avokatët e mi.
Herët a vonë, e vërteta do dalë një ditë. Jam përgjuar 24 orë në ditë, provat nuk përputhen. Në të njëjtën kohë që thuhet se Arseni ka folur me mua, ai ishte në komisariatin e Vlorës. Prokuroria duhet të verifikonte faktet. Gjykata e Apelit pranoi të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe asnjë kërkesë timen. Një ndër to t’i kërkonte informacion gjykatës së Vlorës. Kjo është një çështje politike, me mua u shkelën të gjitha parimet edhe prezumimi i pafajësisë. U tejkaluan kompetencat. Kërkesa e prokurorisë për 2.6 vjet burg nuk ka asnjë logjikë.
Për dy kryetarë bashkie ka kërkuar shërbim prove. Sa herë të ketë zgjedhje rezultati do jetë i njëjtë, himarjotët nuk janë budallenj. Është e padrejtë që kësaj çështjeje t’i jepet kuptim patriotik. Jam besimplotë nuk e ndjej veten fajtor. Herët a vonë do gjej drejtësi. Sot duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, të tjerët janë kalimtarë dhe besnikë të partisë. Dy prokurorët do t’i gjykojë historia”.
Në GJKKO-s, ndodhet Beleri dhe avokati i tij, shoqëruar edhe nga mbështetës. Seancën po e ndjek dhe një përfaqësues nga ambasada greke.
Për Belerin, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg. Ndërsa për të pandehurin tjetër, Fredi Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit, SPAK ka kërkuar dy vite burgim, të cilat i janë konvertuar në 4 vite shërbim prove. Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.
Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë duke blerë votat.
