54-vjeçari që hiqej si i vdekur, ekstradohet në Shqipëri, Balla: Në hetim për ngjarje kriminale
Policia e Shtetit njofton se ka deportuar në Shqipëri, Leonard Mnella, 54 vjeç, i cili rezulton i dënuar në Itali me 25 vite burgim për një seri veprash të rënda penale. Po ashtu, ai ishte në kërkim dhe nga drejtësia shqiptare për disa ngjarje kriminale.
Në njoftimin e Policisë bëhet me dije se, 54-vjeçari në vitin 2013 kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.
“Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE-ERO (Departamenti Sigurisë Kombëtare/Agjencia ligjzbatuese e Emigracionit dhe Doganave), prej disa kohesh kanë punuar së bashku për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar: Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, 54 vjeç”, bën të ditur Policia.
“Këtë shtetas, Gjykata e Salernos, Itali, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha. Leonard Mnella do të jetë subjekt hetimesh në Shqipëri, për ngjarje kriminale të ndodhura kohë më parë në Shqipëri. Ky shtetas, ndërkohë që ishte në arrati, në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të lëshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine”, njofton Policia.
“Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me dy agjencitë amerikane, nëpërmjet informacioneve të shkëmbyera, kanë arritur të identifikojnë, të lokalizojnë dhe të arrestojnë shtetasin shqiptar Leonard Mnela, në Miçigan, Shtetet e Bashkuara, dhe kane bërë të mundur deportimin e tij në Shqipëri. Do të vazhdojë puna, në bashkëpunim me prokurorinë, për hetimin e thelluar të veprimtarive kriminale të kryera nga ky shtetas”, përfundon Policia e Shtetit.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një reagim në rrjetet sociale ka përgëzuar Policin% për operacionin.
“Përgëzime Departamentit të Policisë Kriminale, Policia e Shtetit, për punën e shkëlqyer në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE- për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar”, shkruan Balla.
“Një person 54-vjeçar i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 25 vjet burgim, për disa vepra penale dhe ndërkohë që ishte në arrati, në vitin 2013 kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të lëshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur në vitin 2003, në Amerikën Latine. Ky shtetas është subjekt hetimesh në Shqipëri për ngjarje kriminale të ndodhura shumë vite më parë në Shqipëri”, përfundon Balla.
