Banorët protestojnë kundër shembjes së pallatit në Durrës
Banorët e pallatit "të Oficerëve", përbri shkollës "Hajdar Dushi" protestuan të revoltuar ditën e sotme përpara bashkisë së qytetit të Durrësit. Arsyeja e kësaj proteste është manipulimi i rezultateve të aktekspertizës së subjektit me numër 83/11 nga niveli i dëmtimeve DS2 në nivelin DS4.
Gjithsej në subjekt jetonin 20 familje, të cilat shprehen se konkretisht pallati nuk kishte pasur dëmtime të rënda, por krisje të lehta. Ata nuk janë larguar kurrë nga banesa, kanë jetuar aty edhe pas rënies së tërmetit, pasi dëmtimet e tij ishin të nivelit DS2, deri në fillim të muajit shkurt të këtij viti, kur ata u lajmëruan për largimin e tyre të menjëhershëm.
Banoret tregojnë dokumentet e marra që prej vitit 2019/2020 ku pallati i tyre është vlerësuar si i banueshëm dhe vetë ata përfitues të bonusit prej 250.000 lekë të reja për rregullim të brendshëm. Gjithashtu ata tregojnë se edhe fotot e paraqitura në aktekspertizën e fundit të Institucionit Ndërtimor janë të pavërteta, sepse subjekti ku ata banojnë nuk ka pasur ato lloj dëmtimesh të rënda.
Qytetarët bien në një mendje tek thonë që pallati i tyre ka nevojë për një lyerje të jashtme, por shkalla dhe muret e brendshme janë të gjitha në gjendje të shkëlqyer.
Shqetësimi më i madh i tyre ishte prerja e ujit dhe dritave nga forcat e policis, pa paralajmërim dhe në mënyrë të papritur për të gjitha familjet. Ku mes tyre ka fëmijë të vegjël, të moshuar dhe invalidë, të cilët janë të detyruar të jetojnë në kushte të papërshtatshme pa burime energjitike dhe ujë.
Ata kërkojnë nga instutucionet përkatëse të rishqyrtojnë vendimin e dhënë, pasi ata do të protestojnë edhe në vazhdim. Duke kundërshtuar daljen nga banesa dhe prishjen e mureve të pallatit.


