PAMJET dramatike/ Teksasi në pushtetin e flakëve, shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore për 60 qarqe. Zjarrin i dytë më i madh në histori

Temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta kanë favorizuar zjarret në Teksas, duke djegur rreth 850 mijë hektarë. Mijëra banorë janë evakuuar, teksa vijojnë thirrjet për të mos dal nga shtëpia për shkak të tymit

Shteti amerikan i Teksasit po përjeton zjarrin e dytë më të madh në historinë e vendit, me 850 mijë hektarë të përfshirë nga flakët deri këtë të mërkurë.

Një person ka humbur jetën, teksa shërbimet kryesore janë ndërprerë dhe mijëra shtëpi e biznese kanë mbetur pa energji elektrike.

Guvernatori Greg Abbott ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore për 60 qarqe ndërsa autoritetet deklarojnë se bari i thatë, temperaturat e larta dhe erërat e forta po favorizojnë flakët.

Ata kanë bërë thirrje që njerëzit të mos dalin nga banesat, për shkak të ajrit të ndotur. Por një pjesë e mirë e komuniteteve janë detyruar të evakuohen për shkak të rrezikut.

Qindra zjarrfikës dhe vullnetarë kanë dalë në vijë të parë të frontit për shuarjen e flakëve.

Në qytetin Amarrillo, forcat u përqendruan në veri të vendit, ku është pozicionuar fabrika e armëve bërthamore, për të shmangur rrezikun e shpërthimit të tyre.

“Smokehouse Creek Fire”, siç është quajtur, tashmë ka rrafshuar gjysmë milioni hektarë.

Mbetet pas zjarrit të Kompleksit East Amarillo, i cili dogji mbi 900 mijë hektarë në vitin 2006.