Uroi pavarësinë e Kosovës në shqip, gruaja shqiptare e deputetit kanadez: Muajin e mjaltit do e kalojmë në Kosovë

Deputeti kanadez, Kyle Seeback, uroi Kosovën në gjuhën shqipe ne parlament.

Më 17 shkurt kur u shënua 16 vjetori i Pavarësisë, një urim i veçantë do të vinte nga Parlamenti i Kanadasë, atje ku deputeti kanadez Kyle Seeback uroi në shqip Kosovën.

Dhe shkaku i kësaj dashurie për Kosovën mësohet se është pikërisht bashkëjetuesja e tij me origjinë kosovare Flutura Mazrekun.

Vetë e fejuara e deputetit kanadez në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” bëri me dije se shumë shpejt ata do të kurorëzojnë lidhjen e tyre me martesë, ngjarje kjo që do e sjellë Seeback në Kosovë në verë të këtij viti.

Flutura Mazreku: Ideja e këtij urimi ishte e të dyve. Ka dëgjuar rrëfimet e mia personale për luftën në Kosovë. Kur erdhi dita e pavarësisë së Kosovës, kemi biseduar bashkë dhe ka vendosur të bëjë një fjalim të shkurtër në parlament.

Për Kosovën flasim për planet me e vizitu Kosovën, sepse Kyle nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë.

Bisedat tani për Kosovën bëhen më shumë për tema pozitive, për progresin e Kosovës. Plani është për të bërë dasëm kanadeze, një dasëm shumë të vogël në Kanada dhe muajin e mjalit me e kalu në Kosovë.

Urimi deputetit kanadez Kyle Seeback nga Parlamenti i Kanadasë

“Më 17 shkurt, Republika e Kosovës feston 16 vjetorin e Pavarësisë. Rruga e Kosovës drejt Pavarësisë nuk ishte e lehtë, gjatë luftës së tyre për liri në vitin 1999, dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë u kthyen në refugjatë.

Historitë e tyre të tragjedisë dhe vuajtjeve janë vërtet të vështira për t’u dëgjuar, por Republika e Kosovës gjithmonë ka pasur një mik në Kanada.

Kanadaja ishte një nga vendet e para që njohu Pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, dhe Kanadaja mirëpriti mbi 7.000 refugjatë kosovarë në Kanada, duke përfshirë të fejuarën time dhe të gjithë familjen e saj.

Dhe 25 vjet më vonë, ata ish-refugjatë kanë ndërtuar jetën këtu në Kanada. Ata e kanë pasuruar Kanadanë me kulturën e tyre, punën e tyre të palodhur dhe dashurinë e tyre për Kanadanë. Të gjithë kosovaro-kanadezëve u them ‘Urime dita e Pavarësisë!’”, ka thënë deputeti kanadez.