12 persona të armatosur u vranë në përleshjet me ushtrinë e Meksikës, dyshohet se janë anëtarë të një karteli droge
12 persona të armatosur u vranë nga trupat meksikane në një përleshje në Tamaulipas. Të shtënat ndodhën kur ushtarët po patrullonin komunën e Miguel Aleman në kufirin me SHBA-në, tha në rrjetet sociale zyra e zëdhënësit të sigurisë së Tamaulipas.
Burime të qeverisë së shtetit konfirmuan për AFP se 12 sulmuesit, të dyshuar si anëtarë të një karteli droge, u vranë në incidentin, gjatë të cilit ushtria përdori gjithashtu drone dhe një helikopter.
“Elementet e ushtrisë u sulmuan nga civilë të armatosur të cilët ishin fshehur në bimësi të ulët dhe janë neutralizuar 12 sulmues”, tha i njëjti burim për incidentin, i cili ndodhi rreth orës 14:00 me orën lokale.
Katër shtetas amerikanë, dy prej të cilëve vdiqën më vonë, u rrëmbyen me armë pasi kaluan kufirin në shtetin Tamaulipas me një furgon në mars të vitit të kaluar. Meksika ka regjistruar më shumë se 420,000 vrasje dhe 110,000 zhdukje shumica e atribuar grupeve kriminale që nga fillimi i një ofensive të diskutueshme ushtarake kundër drogës në 2006.
