Kroacia shkarkon trajnerin e Kombëtares për shkakun absurd
Robert Jarni nuk është më trajner i Kroacisë U-17. Ajo që ndodhi me ish-yllin e futbollit dhe kapitenin e kombëtares kroate është absolutisht absurde. Jarni u shkarkua për shkak të simpatisë së tij ndaj Betis Sevilla. Trajneri 55-vjeçar kishte luajtur për klubin spanjoll si futbollist, pas qëndrimit në Itali mes Barit, Torinos dhe Juventusit. Nga viti 1995 deri më 1998 me bardheblutë iberikë, Jarni nuk e ka harruar kurrë atë eksperiencë te Betis, skuadër e cila do të jetë kundërshtari i radhës i Dinamo Zagrebit në “play-off” e Ligës së Konferencës.
Jarni gjatë një interviste për gazetën kroate “Večernji list” tha: “Kë do të mbështes? Betis është klubi im, kam kaluar tri vite të mrekullueshme atje, nuk kam luajtur për Dinamon. Nuk e di kush mund të më fajësojë mua për këtë. Në të njëjtën kohë, unë jam një tifoz i Hadjuk”. Fjalë që duket se nuk i kanë pëlqyer Federatës Kroate të Futbollit, e cila me një deklaratë e ka larguar zyrtarisht trajnerin nga kombëtarja U-17.
Jarnit iu besua detyra për të zhvilluar më mirë brezin e ri të talenteve në futbollin kroat. Një traditë që ka qenë gjithmonë pozitive dhe e suksesshme, e cila me kalimin e viteve ka parë që disa kampionë të futbollit evropian të lulëzojnë në ekipet e ndryshme të të rinjve të klubeve kroate.
Deklarata e shkarkimit, pavarësisht punës së shkëlqyer të Jarnit, ishte e menjëhershme: “Me vendim unanim të komitetit ekzekutiv të Federatës Kroate të Futbollit, Robert Jarni është liruar nga detyra e trajnerit të kombëtares kroate U-17, pas deklaratave të papërshtatshme në media. Komiteti Ekzekutiv mbështet të drejtën e çdo individi, duke përfshirë të gjithë futbollistët, përfshirë ata të kombëtares, për të mbështetur cilindo klub që dëshiron, edhe kundër klubeve kroate në Evropë, edhe nëse diçka e tillë nuk konsiderohet e dëshirueshme”.
Federata vazhdon në shënimin e saj: “Është e papërshtatshme, e padëshirueshme dhe e papranueshme që një person që drejton një ekip kombëtar kroat të mos mbështesë hapur asnjë klub kroat në një kompeticion evropian. Promovimi i unitetit brenda familjes kroate të futbollit është një kusht pa të cilin asnjë shtetas kroat nuk mund të menaxhojë një ekip me sukses”.
Një shënim absolutisht i qartë që nxjerr në pah mendimin dhe reflektimin e të gjithë federatës për këtë çështje: “Ne e konsiderojmë këtë lloj vendimi të vetmin korrekt për të mbrojtur unitetin e familjes së futbollit kroat”.


