Zhulali: Vizitat e Sekretarëve të Shtetit në Shqipëri, shoqërohen gjithmonë me mesazhe të forta politike

Ekspertja e marrëdhineve Ndërkombëtare, Ilda Zhulali e ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News u shpreh se vizitat e Sekretarëve të Shtetit në Shqipëri kanë qënë gjithmonë të shoqëruara me mesazhe shumë të forta politike.

Zhulali: Vizita e një Sekretari të Shtetit të Amerikës është gjithmonë një lajm i madh për vendet relativisht modeste dhe të vogla si Shqipëria, pasi ato gjithmonë në traditën e vet vijnë me një lajm të madh për atë vend ose për rajonin ku ndodhen.

Në Shqipëri vizitat e Sekretarëve të Shtetit kanë qenë gjithmonë të shoqëruara me mesazhe shumë të forta politike.

Kur ka një luftë në Ukrainë, kur ka një konflikt të hapur mes Izraelit dhe Hamasit, ku ka paralajmërime që mund të ketë një vatër të re konflikti në Ballkan dhe këtu vatra konsiderohet Veriu i Kosovës, atëherë ardhja e Blinken në Tiranë është e rëndësishme.