Festa e Shën Valentinit, Alda Bardhyli tregon disa nga librat më të bukur të dashurisë: Klasikët më të komentuarit...
Ditën e sotme, e ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", për të folur rreth librave më të bukura të dashurisë ishte Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.
E pyetur se kë do të veçonte së fundmi si "best seller-in" e dashurisë, Alda u shpreh se dashuria është një temë universale, por mbrapa në kohë, librat klasikë vijojnë të jenë më të komentuarit.
"Dashuria është një temë universale, e cila dominon gjithë historinë e letërsisë që në fillesat e saj. Por nëse hidhemi në kohë dhe shohim se cilat janë librat që kanë ngelur në kohë, që flasin për këtë ndjenjë të bukur njerëzore që vazhdon të jetë një frymëzim i madh për njeriun, do të shohim se librat klasikë që flasin për dashurinë, vijojnë të jenë më të komentuara, vijojnë të jenë në diskursin publik, dhe gjithmonë a tregojnë madhështinë e kësaj ndjenje për botën njerëzore. Do ta nisja nga Ana Karenina, një libër tragjik, jo vetëm për dashurinë por edhe për të drejtat e njeriut, ku në fokus është grusaja, Ana e cila shkon deri në vetëflijim për dashurinë. Ishin libra që i flisnin shoqërisë, për një hapje për të drejtat njerëzore. Pas saj një libër tjetër i bukur është "Zonja Bovari", një libër i fortë. Zonja Bovari është një grua që na kujton sakrificën dhe botën plot paragjykime që shoqëron këtë ndjenjë të bukur", u shpreh Alda Bardhyli.
