Më i vjetri në Evropë/ Muri me gurë nën brigjet e Baltikut në Gjermani, mendohet se u ndërtua 10 mijë vite më parë

Shkencëtarët kanë zbuluar një mur guri në fund të Baltikut në Gjermani, për të cilin mendojnë se është infrastruktura më e vjetër e ndërtuar nga njeriu në Evropë që daton rreth 10 mijë vjet më parë

Një mur i epokës së gurit i zbuluar nën brigjet e Baltikut të Gjermanisë mund të jetë mega-struktura më e vjetër e ndërtuar nga njerëzit në Evropë.

Ai shtrihet për gati 1 km përgjatë shtratit të detit në Gjirin e Mecklenburgut dhe ndodhet afro 21 km nën ujë.

U vërejt rastësisht kur shkencëtarët përdorën një sistem sonar me shumë rreze nga një anije kërkimore, në një udhëtim studentor rreth gjashtë milje në det të hapur.

Inspektimi zbuloi rreth 1.400 gurë të vegjël që duket se ishin pozicionuar për të lidhur 300 të tjerë të mëdhenj, që konsiderohen shumë të rëndë për t’u lëvizur nga njerëzit.

Studiuesit besojnë se ai është ndërtuar nga gjuetarët në tokë në epokën e Gurit, pranë një liqeni ose moçali më shumë se 10 mijë vjet më parë dhe është zhytur me rritjen e nivelit të detit rreth 8 mijë e 500 vjet më parë.

Ndërsa qëllimi i murit është i vështirë për t'u vërtetuar, dyshohet se shërbeu si një korsi lëvizëse për gjuetarët në ndjekje të tufave të drerëve.

“Kur i ndjek kafshët, ato ndjekin këto struktura, nuk përpiqen t'i kapërcejnë. Ideja do të ishte krijimi i një pengese artificiale me një mur paralel me bregun e oqeanit”, shpjegojnë shkencëtarët.

Ndërkohë, konsiderohet e pamundur që të jetë formuar përmes proceseve natyrore, të tilla si një cunami i madh që lëviz gurët në vend, ose gurët që mbeten pas nga një akullnajë në lëvizje.

Në total, gurët e strukturës së ndërtuar mendohet se peshojnë më shumë se 142 tonë.