Zbardhet ngjarja e rëndë në Korçë, kapet autori i moshuar, përleshja ndodhi në gjendje të dehur
Zbardhet në kohë rekord ngjarja e rëndë në Korçë. Burime bëjnë me dije se policia ka arritur të identifikojë dhe kapë autorin e përleshjes me të moshuarin.
Pista e grabitjes ka rënë totalisht poshtë, pasi sipas hetimeve ka rezultuar se në gjendje të dehur, dy personat janë konfliktuar në banesë me njëri tjetrin për motive të dobëta. Edhe autori mësohet se është i lënduar, por paraqitet pa probleme për jetën.
Mësohet se autori është shok me të moshuarin, me po të njëjtën moshë si i plagosuri. Sipas burimeve, ai është gjetur në banesën e tij, me dëmtime trupore por jashtë rrezikut për jetën. Ka deklaruar para uniformave blu se kanë pirë brenda banesës, dhe janë zënë, pa asnjë shkak konkret.
"Policia identifikon, kap dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, në lidhje me ngjarjen ku në lagjen nr. 15, Korçë, në banesën e tij u gjet i dëmtuar me sende të forta shtetasi G. T., 81 vjeç, ju informojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj personit të DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi: -G. A., 72 vjeç, banues në Korçë." - njofton policia.
Nga veprimet e kryera rezulton se ky shtetas ka qenë së bashku me shtetasin G. T., në banesën e këtij të fundit, ku dyshohet se në gjendje të dehur e ka goditur 81-vjeçarin me sende të forta. Shtetasi G. T., vijon të ndodhet në spitalin e Korçës në kujdesin e mjekëve.
