Zgjedhjet në Pakistan, ndërpriten thirrjet celulare dhe interneti ditën e zgjedhjeve
Pakistani ka pezulluar valët celulare për të bllokuar thirrjet dhe shërbimet e të dhënave ditën e sotme, teksa njerëzit po shkojnë për të votuar për një qeveri të re.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme tha se arsyeja për të cilën po ndodh ky pezullim është për shkak të incidentit terrorizues që ndodhi dje.
"Si rezultat i incidenteve të fundit të terrorizmit në vend, janë humbur jetë të çmuara. Masat e sigurisë janë thelbësore për të ruajtur gjendjen e rendit dhe ligjit dhe për t'u marrë me kërcënimet e mundshme," tha ai.
Ditën e djeshme humbën jetën 28 persona dhe të tjerë u plagosën për shkak të shpërthimit të 2 bombave pranë zyrës së një kandidati.
Kjo masë u kritikua nga djali i ish-kryeministrit të Pakistanit Benazir Bhutto i cili është vrarë. Djali i ish-kryeministrit, i cili kandidon për postin e lartë në këto zgjedhje tha se i ishte drejtuar Komisionit Zgjedhor dhe gjykatave për rivendosje të shërbimeve.
Zgjedhjet në Pakistan po mbahen në një periudhë trazirash politike, pasi pak kohë më parë u burgus ish-kryeministri Imran Khan me akuzën e korrupsionit.
Pas incidentit të djeshëm dhe trazirave politike, vendi është në gadishmëri të lartë, me një prani të shtuar sigurie në qëndrat e votimit. Raportuesi i BBC, i cili po monitoron zgjedhjet në Pakistan, tha se një qendër votimi në Lahore, në hyrje kishte oficerë të ushtrisë të armatosur që vëzhgonin zonën.
