Juventus me strategjinë e Interit, pranë transferimit falas të brazilianit të Lazios
Juventus këtë sezon ka ndryshuar shumë strategjinë e merkatos, pas afrimit të drejtorit të ri sportiv Cristiano Giuntoli. Transferimi i radhës në verë, duket se do të jetë Felipe Anderson nga skuadra e Lazios.
Lojtari brazilian nuk po gjen dot “gjuhën” e përbashkët me Presidentin Lotito, për të rinovuar kontratën e tij te “Bardhekaltërit” e kryeqytetit, duke përfunduar kështu në “radarët” e Juventus, me këta të fundit, që i kanë parashtruar një kontratë fitimprurëse.
Plot 3.5 milionë euro në sezon, për 3 vitet e ardhshme. Kjo është oferta që “Zonja e Vjetër” ka gati për Felipe Anderson, sa dyfishi i shumës që përfitonte deri më tani te bardhekaltrit.
Autori i 55 gola e 63 asistimeve, në 306 përballjet me fanellën e Lazios e pëlqen këtë lëvizje, ndaj dhe gjithçka duket një formalitet që mund të zyrtarizohet që në javët e ardhshme dhe të bëhet aktive që nga qershori.

