“Kushtetuesja na dha të drejtë”, studenti i “Mjekësisë”, Reant Kullaj: Të nisin konsultimet për punën me detyrim në Shqipëri

Studentët e Mjekësisë kanë kërkuar këtë të premte nisjen e tryezës me qeverinë për afatin që do t’u kërkohet të punojnë me detyrim në sistemin shëndetësor.

Deklaratën e dhanë një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se i rikthehen protestës nëse nuk do ti plotësohen kërkesat.

Ndërkaq, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës” studenti i vitit të pestë në Mjekësi, Reant Kullaj vlerësoi vendimin e gjykatës, e cila kërkoi nga qeveria rishikimin e afatit 5 vjeçar për të punuar në Shqipëri kundrejt marrjes së diplomës.

“Kjo ka qenë kërkesë e ngritur që në nisje të vitit akademik”, u shpreh ai.

Në vijim, ai u shpreh i gatshëm për të nisur bisedimet me ministrinë dhe palët e interesuara për hartimin e një ligji të ri, ndërsa theksoi se studentët do të jenë gati të protestojnë nëse nuk u jepet ajo që e quajnë e drejta e tyre.

Të enjten Gjykata Kushtetuese e konsideroi të lartë kufirin për të punuar me detyrim në sistemin shëndetësor shqiptar të studentëve që do të ndjekin falas Fakultetin e Mjekësisë.