Shevchenko zgjidhet president i Federatës së Ukrainës dhe urimi i parë i vjen nga Milani

Andriy Shevchenko është presidenti i ri i Federatës së Futbollit të Ukrainës.

Ky ka qenë verdikti i zgjedhjeve që janë zhvilluar sot për këtë post.

Ndër të parët që e përgëzoi ish-sulmuesin dhe ish-trajnerin e kombëtares së Ukrainës ishte Milani.

Klubi kuqezi, ku Sheva arriti majat e karrierës si futbollist, i dërgoi një mesazh urimi “Topit të Artë” 2004 përmes kanaleve zyrtare në rrjetet sociale: “Urime dhe punë të mbarë Andriy Shevchenko, president i ri i Federatës së Futbollit të Ukrainës. Suksese Sheva!”

Kujtojmë se legjenda e futbollit ukrainas ishte kandidati i vetëm për këtë detyrë.

Sheva do ta drejtojë futbollin e vendit të tij në një nga momentet më të vështira për shkak të luftës me Rusinë.

Asnjë tjetër nuk kishte hedhur kandidaturën, ndaj kjo e bënte formalitet zgjedhjen e ish-sulmuesit të shquar në krye të futbollit ukrainas.

Një personazh i njohur dhe i dashur në vendin e tij, teksa disa kohë më parë u emërua edhe këshilltar i pavarur i presidentit Volodimir Zelensky.

Sheva i dha fund karrierës si futbollist në vitin 2012 dhe nga vitit 2016, deri në 2021, drejtoi përfaqësuesen e Ukrainës si trajner.

Ai provoi këtë detyrë edhe te Xhenoa në Itali, pa shumë sukses, ndërsa tani nis një etapë të re, për t’u bërë drejtues në nivelet më të larta.