I morën ryshfet furrës së bukës për faturën e energjisë, arrestohen 2 punonjësit e OSHEE-së
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmë, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, që bënte fjalë për 2 punonjës të OSHEE-së, të cilët i kanë marrë shuma të ndryshme parash, një shtetasi, me qëllim rimbursimin e energjisë elektrike dhe ndryshimin e tarifimit për subjektin e tij (furrë buke), ju bëjmë me dije se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që shfaqen në video.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë arrestuan shtetasit:
A. P., 54 vjeç dhe R. K., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 500 000 lekë dhe 3 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
