VIDEO/ De Rossi debuton me fitore, Roma mund 2-1 Veronën

Daniele De Rossi e nis me “këmbën e mbarë” aventurën e tij si trajner i Romës.

Verdhekuqtë u rikthyen te fitorja teksa mposhtën në Olimpico, Veronën me shifrat 2-1.

Dy golat e kryeqytetasve u shënuan në pjesën e parë brenda gjashtë minutash, respektivisht në të 19-tën dhe në të 25-tën.

I pari që shënoi ishte Romelu Lukaku pas një asisti të El Shaarawy ndërsa dyfishoi Lorenzo Pellegrini, po me asist të El Shaarawyt.

Në fraksionin e dytë, miqtë tentuan të reagonin dhe mundësinë më të mirë e patën në të 65-tën.

VAR ndërhyri dhe u akordua penallti për Veronën, por nga pika e bardhë, sulmuesi Djuric gaboi në mënyrë fatale duke e dërguar topin mbi traun e mbrojtur nga Rui Patricio.

Megjithatë, miqtë e gjetën golin dhe shkurtuan diferencat në minutën e 76 pas një goditje të Folorunsho nga distanca, teksa edhe portieri Rui Patricio mund të bënte më mirë.

Megjithatë, Roma e kaloi momentin e vështirë dhe ia doli të menaxhonte avantazhin deri në fundin e ndeshjes duke fituar me rezultatin 2-1.

Pas kësaj fitoreje, Roma ngjitet në kuotën e 32 pikëve në vend të tetë, ndërsa nga ana tjetër, Verona mban vendin e 18 me 17 pikë pas 21 javësh të luajtura në Serie A.

Golat: 

https://streamin.one/v/f6801bc4

https://streamin.one/v/3ab73f7a

https://streamin.one/v/efd1e5f5