Kolonja një nga atraksionet më të njohura turistike në vend, Erion Isai: Është shtuar numri i turistëve

Kolonja mbetet një nga atraksionet më të njohura turistike në vend, për bukuritë që ofron, traditën, e në mënyrë të veçantë për trashëgiminë e kulturës që ka treva e njohur.

Nga njëri në vit në tjetrin është shtuar numri i turistëve vendas e të huaj.

Vitin e kaluar është dyfishuar numri i turistëve dhe vizitorëve, e gjithë kjo ka ardhur e për shkak të investimeve të kryera në veçanti në fshatrat turistike.

Kryetari i bashkisë Erion Isai ka një "merak", në qoftë se do do të jetë një gjendje për të përballuar fluksin në rritje të turistëve për shkak se ende numri i akomodimeve vijon të jetë i ulët.

"Jemi pak më shumë se dyfishuar nga 2022 e mbi trefishuar nga 2021.

Besoj se viti tjetër se do jetë dyfishi i dyfishit dhe meraku që kam është sa jemi gati të presim numrin e mundshëm të turistëve.

Po ndërrojme këndvështrim. Jo si të bëjmë reklamë që njerëzit të na vijnë por si të shkojmë drejt cilësisë, rritjes së numrit të akomidimeve.

Numri është por a i ofrojmë atë që duhet? Është gati dyfish numri i qëndrimit ai i kalimit'', tha Isai.

Ky është Edi Bilo, një nga operatorët më të njohur të zonës. Rritja e numrit të turistëve në resortin e tij e ka detyruar të rrite edhe kapacitetin akomodues.

"Më shumë lindi si nevojë për hir të së vërtetës. Numri i turistëve si të huaj dhe vendas ka qenë në rritje, numri i tyre është trefishuar.

Me hapjen e hotelit të ri e shohim se jemi më të ngarkuar. Të dyja llojet e turistëve janë.

Turistët vendas vijnë nga Shqipëria e mesme, një pjesë edhe nga veriu, kurse turistët e huaj dominojnë gjermanët, çeke, polake'', tha Bilo.

Erseka si dhe fshatrat e shumtë turistikë kanë mirëpritur afro 28.000 turistë ndërkohë që numri i vizitorëve i ka kaluar shifrat e 40.000.