Biden nis fushatën, kërkon votën e afro-amerikanëve dhe sulmon Trump-in: Është humbës

Fushatën për zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA, presidenti Joe Biden e ka nisur nga një kishë, ku 9 vite më parë për motive racizmi, një i bardhë ka qëlluar për vdekje 9 persona me ngjyrë. Biden tha se kjo dhe forma të tjera të dhunës janë të patolerueshme.

Kisha ku gati 1 dekadë më parë 9 qytetarë me ngjyrë u vranë nga 1 i bardhë ishte pikërisht vendi që Presidenti Joe Biden zgjodhi për të nisur fushatën për një tjetër mandate në zyrën Ovale.

Para mbështetësve me ngjyrë, për të cilët ka nevojë për të fituar në zgjedhjet presidenciale të këtij viti tha se ideologjia raciste mbetet një plagë e pa shëruar e shoqërisë

Biden shprehu shqetësimin për “helmin” që mbart ndjenja e superioritetit mes të bardhëve.

“Pikëpamja e disa të bardhëve se ata janë mbi racat e tjera, është një helm, gjatë historisë sonë, që e ka copëtuar këtë komb. Kjo nuk ka vend në Amerikë. As sot,as nesër as kurrë.”, u shpreh Biden.

Nga foltorja e Kishës "Nënë Emanuel AME", kreu i shtëpisë së bardhë theksoi se kjo situatë duhet të ndryshojë.

Fjalimi i presidentit demokrat pasoi gjithashtu komentet e tij gjatë përvjetorit të trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol.

Biden vuri në dukje një sërë përpjekjesh të dështuara nga Donald Trump në gjykata për të përmbysur zgjedhjet e 2020.

“Më lejoni të them atë që të tjerët nuk munden. Ne duhet të refuzojmë dhunën politike në Amerikë. Nuk është kurrë e përshtatshme, humbësit e kanë të vështirë ta pranojnë realitetin. Dhe ai është një humbës”, theksoi ai.

Biden u takua privatisht me krerët fetarë dhe anëtarët e familjes së të shtënave në kishë. Karolina e Jugut është gara e parë zyrtare e kandidatëve demokratë ku Biden synon një tjetër paraqitje konkurruese.