Sulmi ajror izraelit i merr jetën dy gazetarëve palestinezë në Gaza, plagosen edhe dy të tjerë

Wael al-Dahdouh, një korrespondent i njohur palestinez për Al Jazeera, i cili e ka kaluar karrierën e duke raportuar mbi Gazën, kishte humbur tashmë gruan, një djalë, një vajzë dhe nipin e mitur nga një sulm ajror izraelit në tetor.

Sot, ai humbi një tjetër anëtar të familjes së tij për shkak të luftës. Djali i tij i madh, Hamza, u vra në një sulm ajror izraelit që la të vdekur dy gazetarë dhe plagosi dy të tjerë, sipas autoriteteve në Gaza.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, Wafa, raportoi se një sulm izraelit me dron goditi makinën me të cilën po udhëtonte Hamza al-Dahdouh në perëndim të qytetit jugor të Khan Younis. Ai u vra së bashku me një gazetar tjetër, Mustafa Thuraya. Dy të tjerë, Ahmed Al-Burash dhe Amer Abu Amr, u plagosën.

Wael al-Dahdouh tha se djali i tij punonte për Al Jazeera, ndërsa Wafa raportoi se dy gazetarët e plagosur punonin për Palestine Today, një kanal televiziv.

“Asgjë nuk është më e vështirë se dhimbja e humbjes. Dhe kur e përjeton këtë dhimbje herë pas here, ajo bëhet më e vështirë dhe më e rëndë”, tha Wael al-Dahdouh për Al Jazeera pas vdekjes së djalit të tij.

Ai shtoi: “Uroj që gjaku i djalit tim Hamza të jetë i fundit nga gazetarët dhe i fundit nga njerëzit këtu në Gaza dhe kjo masakër të ndalet”.