Investime për 24 orë ujë/ Balluku inspekton përmirësimin e Ujësjellësit Elbasan

Në qytetin e Elbasanit është duke u investuar për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve që do të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në ditë për të gjithë qytetin.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, inspektoi nisjen e punimeve për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në qytetin e Elbasanit.

Balluku u shpreh se, “ky investim do të transformojë situatën e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj bashkie, duke përmirësuar njëkohësisht edhe treguesit financiarë të shoqërisë. Ky është një tjetër projekt i rëndësishëm, e i shumëpritur për këtë qytet. Ndërsa do të vijojmë edhe gjatë vitit 2024 me investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, duke rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve kudo ku ata jetojnë”.

“E gjithë zona e Elbasanit është në një proces rivitalizimi duke nisur nga rruga e korridorit 8-të që do të shtrihet edhe në ndërhyrjen e brigjeve të lumit Shkumbin, ndërsa programi i investimeve në infrastrukturën e ujësjellës kanalizimeve do të rehabilitojë plotësisht rrjetin e kanalizimeve”, theksoi Balluku.

Ajo informoi për finalizimin këtë vit, të procesit të administrimit të shoqërive të Ujësjellës -Kanalizimeve, të cilat janë funksionale dhe administrojnë faturimin dhe arkëtimet.

“Të gjitha shoqëritë kanë një nivel arkëtimi mbi 100.5 % që tregon se po administrojnë dhe debitë e vjetra që kishin qytetarët, duke përdoruar edhe pagesa me këste dhe duke i dhënë mundësi të gjitha shoqërive që të mbulojnë shpenzimet e tyre”, u shpreh Balluku, solli në vëmendje shembullin e qytetit të Korçës, i cili aktualisht prej vitesh ka ujë gjatë gjithë ditës.

Ndërkohë, inxhinieri ka theksuar se janë u duke punuar në mënyrë që Elbasani te ketë një shpërndarje të rregullt.

“Jemi duke punuar për dizajnin përfundimtar që në vazhdimësi, brenda viteve afatmesme të përfundojnë dhe këto zona, në mënyrë që i gjithë qyteti i Elbasanit të ketë një shpërndarje brenda parametrave të caktuar”, tha inxhinieri.

Balluku u ndal dhe në investimet inovatore që janë përparësi për zhvillimin e sektorit dhe të ekonomisë në tërësi.

MIE në bashkëpunim me BB po ndërmerret procesi i auditimit për të gjithë ujësjellësat që e kanë sistemin e furnizimit me ujë, me ngritje mekanike duke pasur kështu një tabllo për kostot e energjisë dhe dizenjimin e projekteve inovative që gjenerojnë ulje të kostos së energjisë që përdorin ujësjellësat dhe rritjen e investime për modernizimin e rrjetit.

Me buxhetin e vitit 2024, MIE ka projektuar 40 projekte të reja që prekim 300 mijë abonentë të rinj në të gjithë vendin që përfitojnë nga këto investime të reja, krahas kontributimit që do të vi nga forcimi i 16 shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, që kanë rritur performacën e funksionimit të tyre në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe thithjen e të ardhurave nga abonentët.