"Ilaçi" që i jep jetë zemrës së 70-vjeçarëve

Njëzet minuta ushtrime të moderuara çdo ditë mund të parandalojnë sëmundje serioze kardiovaskulare tek 70-vjeçarët, duke përfshirë dështimin e zemrës, i cili mund të kërcënojë 80-vjeçarët, sipas një studimi të ri të publikuar në Heart.

Për të kryer studimin, shkencëtarët u mbështetën te të dhënat e siguruara nga studimi "Progetto Veneto Anziani" (ProVA), ku përfshiheshin 3,099 italianë të moshuar. Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorët në lidhje me nivelet e tyre të ushtrimeve. Ushtrimi i moderuar përfshinte ecjen dhe peshkimin, ndërsa ushtrimet e forta përfshinin kopshtarinë, gjimnastikën, çiklizmin, kërcimin dhe notin.

Ata që bënin aktivitet fizik të moderuar për njëzet ose më shumë minuta në ditë përcaktoheshin si aktivë, ndërsa ata që bënin më pak përcaktoheshin si joaktivë. Shëndeti i pjesëmarrësve u ndoq më pas përmes të dhënave spitalore deri në fund të vitit 2018. Analiza përfundimtare përfshiu 2,754 pjesëmarrës nga të cilët 1,398 ishin gra.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se rritja e niveleve të aktivitetit fizik lidhej me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjes, si për burrat ashtu edhe për gratë.
Përfitimet më të mëdha u shfaqën në moshën 70-vjeçare, duke treguar se përmirësimi i aktivitetit fizik mjaft herët në pleqëri mund të ketë një ndikim më të madh, thanë studiuesit. Këto gjetje tregojnë se "lëvizja është ilaç" duke konfirmuar thënien “më mirë vonë se kurrë”.