Dumani: Kemi pasur qëndrime të ndryshme për Beqajn, Ahmetaj në kërkim ndërkombëtar
Kreu i SPAK Altin Dumani iu përgjigj edhe interesimit për çështjen e Sterilizimit dhe polemikave që janë përhapur rreth amnistimit të ish ministrit Ilir Beqaj.
Dumani: Jemi prokurorë, por nuk do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues, që në muajin Maj kur nuk ishin dhënë masat e para (për Rrjepaj e Rrapaj). Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish ministrit. Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia, por edhe të gjyqtarit Bani. Kështu funksionon sistemi, ç’mund të them tjetër.
Arben Ahmetaj për ne është një person që kërkohet ndërkombëtarisht. S’mund të them asgjë mbi informacionet që kërkoni për vendndodhjen, nuk e ndajmë dot këtu. Ai në raport me SPAK është në kërkim. Është një çështje që po hetohet përditë.
Në 2023 kemi dyfishuar numrin e hetimeve proaktive. Vetëm për këtë vit ka 68 çështje të nisura kryesisht, duke mbajtur rekordin e 3 vjetëve SPAK. Çështjet të ndara, krim dhe korrupsion. Indiciet janë marrë nga mediat, deklaratat e politikanëve dhe burime të agjentëve të BKH.
