Zbulohet shkaku i vdekjes së admirueses së Taylor Swift gjatë koncertit, hapet hetim penal

Sipas raportit mjeko-ligjor, shkaku i vdekjes në koncert, i admirueses braziliane, të këngëtares Taylor Swift ishte lodhja nga nxehtësia

Ana Clara Benevides Machado vdiq gjatë koncertit në Rio de Zhaneiro më 17 nëntor, nga moti i nxehtë, ku termometri arrinte në 40.5 gradë Celsius. Ajo ndërroi jetë në spital.

Instituti i Mjekësisë Ligjore të Rios deklaron se ekspozimi ndaj nxehtësisë çoi në një “ndërlikim serioz të mushkërive të saj dhe vdekje të papritur” ose një arrest kardiak-respirator. Tani është hapur një hetim penal për vdekjen e saj dhe përfaqësuesit e koncertit do të thirren për të dëshmuar.

Menjëherë pas incidentit tragjik që u shpalos në Estádio Olímpico Nilton Santos, fansat kërkuan që organizatorët të furnizonin me më shumë ujë koncertet në vijim. Tragjedia ishte e fortë edhe për vetë këngëtaren që shkroi një letër shumë të ndjerë ku shprehte dhimbjen për ngjarjen.