Drejtori i AKU urdhëron të mos kontrollohen “Big-Market”, “Devolli” dhe bizneset e “të fortëve”

Informacioni i ardhur në “Pamfleti”, nga zyrtarë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, bën me dije, se Drejtori i Përgjithshëm, Edmond Rrushi, ka urdhëruar 12 drejtorët e qarqeve, që në këtë fund vit të mos kontrollohen bizneset e mëdha.

Porosi të veçantë, ka dhënë për të mos kontrolluar njësitë tregtare, magazinat dhe makinat e kompanisë “Big-Market”, të oligarkëve, fabrikave të njohura ushqimore, distributorëve të shumicës që importojnë, bizneset e “të fortëve” të lidhur me pushtetin.

Këtë urdhër, për të mos kontrolluar sigurinë dhe cilësinë ushqimore në prodhim, magazina shumice, në rrjetin “Big-Market” dhe në pikat kufitare kur futen nga importi, drejtor Rrushi e ka servirur si “porosi të dhënë nga kryeministri, gjoja për të mos penguar furnizimin e popullatës”.

Ligjërisht, kontrolli ushqimor është detyrë e përditshme e Autoritetit  Kombëtar të Ushqimit, dhe nuk ka lidhje me rregullsinë e furnizimit të popullatës, por me bllokimin dhe asgjësimin e ushqimeve të rrezikshme e të skaduara me etiketa false që tregton mafia ushqimore, ku rekord është  “Big Market”.

Nuk dihet nëse e ka porositur, apo është pazar i drejtorit Edmond Rrushi, që në këtë fund viti me fluks të madh shit-blerjesh, mos të kontrollohen bizneset super- markete, magazina shumice, fabrikat ushqimore dhe lëndë të para e produkte që futen nga importi në kufi.

Për t'u dukur sikur këtë fund viti, AKU po lufton krimin ushqimor dhe po mbron popullin nga rreziku në tregjet, magazinat e shumicës e qendra prodhuese, po bën kontrolle në disa kioska, tezga, kafene e kasapë lagjesh, të cilët i gjobit dhe i publikon në media sa për show./Pamfleti