Krijohet fronti i përbashkët Itali – Britani – Japonia, nis forcimi i mbrojtjes

Përballë kërcënimeve në rritje nga Kina, Rusia dhe Koreja e veriut, Italia, Britania dhe Japonia janë dakordësuar për forcimin e mbrojtjes dhe krijimin e një fronti të përbashkët. Tre vendet nënshkruan një marrëveshje që përfshin edhe prodhimin e avionëve luftarakë të gjeneratës së re

Britania e Madhe, Italia dhe Japonia janë bërë bashkë në një organizatë të përbashkët mbrojtëse dhe një avion luftarak të ri të avancuar, ndërsa përpiqen të forcojnë bashkëpunimin e tyre përballë kërcënimeve në rritje nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut.

Japonia, e cila po ndërton me shpejtësi ushtrinë e saj, shpreson të ketë një aftësi më të madhe për të kundërshtuar vendosmërinë në rritje të Kinës, ndërkohë që mirëpret praninë më të madhe të Britanisë në rajonin Indo-Paqësor.

Ministri i Mbrojtjes Minoru Kihara tha në një konferencë të përbashkët shtypi me homologët e tij britanikë dhe italianë, se bashkë-zhvillimi i një avioni luftarak me performancë të lartë është "i domosdoshëm për të siguruar epërsinë ajrore dhe për të mundësuar parandalim efektiv" në një kohë kur Japonia. përballet me një mjedis gjithnjë e më të ashpër sigurie.

Britaniku Grant Shapps tha gjithashtu se projekti i përbashkët do të zhvillojë teknologjinë më të fundit, si dhe "një epokë të re prosperiteti" që përfshin mijëra njerëz që punojnë në projekt. "Kjo do të forcojë sigurinë tonë kolektive," tha ai.

Organizata do të ketë selinë në Britani dhe do të drejtohet nga një zyrtar japonez dhe sipërmarrja e përbashkët do të drejtohet nga një përfaqësues italian. Postet e larta do të ndërrohen çdo disa vjet, thanë zyrtarët.